PE: Kriza do të dëmtojë integrimin

Jun 16, 2011 | 10:03

Parlamenti Europian ka dalë me një deklaratë të njëanshme pas takimit ndërparlamentar BE-Shqipëri, pa mundur të përfshijë dhe qëndrimet e palës shqiptare.Në qendër të deklaratës së Parlamentit Europian qëndron kriza politike pas zgjedhjeve të 8 majit. Janë 22 uuroparlamentarët që kanë firmosur deklaratën, të cilët vijnë nga grupet kryesore më të fuqishme të Parlamentit Europian, u bëjnë thirrje aktorëve politikë që të bashkëpunojnë për të arritur zgjidhje brenda kuadrit ligjor. PE nënvizon faktin se destabiliteti politik rrezikon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Nëse prioritetet kryesore në aplikimin për anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk janë plotësuar dhe kriza politike nuk është zgjidhur ende, progresi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian do të dëmtohet seriozisht”, thuhet në deklaratën e PE. Eurodeputetët, në deklaratën e tyre lidhur me krizën politike në Shqipëri, shprehen se nuk do të mbrojnë pozicionin e asnjë pale, por shprehen të gatshëm që të ndihmojnë Shqipërinë me asistencë ndërkombëtare. “Parlamenti Europian nuk do të marrë anësi në mosmarrëveshjet zgjedhore dhe do të mbetet neutral. Në të njëjtën kohë pret që polemikat të zgjidhen duke respektuar plotësisht kornizën ligjore dhe kushtetuese të Shqipërisë dhe nëse është e nevojshme, me mundësinë e këshillave nga institucionet ndërkombë-tare”, thuhet në deklaratë. Përmes saj shprehet shqetësim për situatën politike në Shqipëri. “Shprehën shqetësim të thellë për krizën politike që pasoi zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe zgjedhjet vendore të majit 2011, dhe u bën thirrje të dyja palëve, qeverisë dhe opozitës, për të bashkëpunuar në gjetjen e një marrëveshjeje në kuadër të institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratën e Parlamentit Europian. Eurodeputetët e PE-së kërkojnë që në Shqipëri të nxitet sa më shpejt dialogu mes palëve, dhe kjo të bëhet për hir të interesave të vendit. “Theksuan se jostabiliteti afatgjatë politik ka dëmtuar rëndë pozicionin ndërkombëtar të vendit dhe perspektivën e tij europiane dhe shprehën keqardhje që, pavarësisht nga kontributet e shumta të Parlamentit Europian, Komisionit, EEAS dhe të Këshillit të Europës për të nxitur dialogun midis blloqeve politike, dy palët deri tani nuk ishin në gjendje të gjejnë një kompromis për hir të vendit dhe qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratë. Për europarlamentarët, Shqipëria ka bërë hapa pozitivë lidhur me liberalizimin e vizave, ndërsa PE shprehet e gatshme të ndihmojë Shqipërinë. “Parlamenti Europian është gati të ndihmojë dhe të asistojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për integrimin në BE. Përshëndetën suksesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe theksuan që qytetarët shqiptarë ta përdorin atë në mënyrë të përgjegjshme, pa abuzuar qëllimin e tij”, thuhet në deklaratën e Parlamentit Europian, të lëshuar menjëherë pas përfundimit të takimit ndërparlamentar Shqipëri-BE.

Pikat e rezolutës

.    Shqetësim të thellë për krizën politike, thirrje të dyja palëve, qeverisë dhe opozitës, për një marrëveshjeje në kuadër të institucioneve demokratike

.    Të nxitet dialogu mes blloqeve politike, dy palët deri tani nuk ishin në gjendje të gjenin një kompromis për hir të vendit dhe qytetarëve të tij

.    Parlamenti Europian nuk do të marrë anësi në mosmarrëveshjet zgjedhore dhe do të mbetet neutral

.    Nëse kriza nuk zgjidhet shpejt, integrimi i vendit në Bashkimin Europian do të dëmtohet seriozisht

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura