Parlamenti Europian kërkon rezultate nga dialogu PD-PS. Haxhinasto: Do zgjedhim President mbi palët.
Kukan: Koha po ikën, statusi merret pasi t’i keni plotësuar kushtet.
Zgjedhja e Presidentit të ri do të jetë një test i rëndësishëm për vlerësimin që do të marrë Shqipëria nga Bashkimi Europian për statusin e vendit kandidat. Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, i ka lëshuar një mesazh të fortë klasës politike që të përmbyllë në kohë reformat dhe zhvillimin e dialogut në zgjedhjen e Presidentit. Sipas Kukan, statusi i vendit kandidat përfitohet vetëm përmes reformave konkrete. Kukan tha dje gjatë seancës së posaçme dëgjimore, që u zhvillua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e kërkuara në rekomandimet e Komisionit, në mënyrë që të marrë një përgjigje pozitive. “Për ne është një shenjë e mirë që ju shohim se bashku dhe që marrim lajme të mira se mes jush ka bashkëpunim. Në Shqipëri po afrohet zgjedhja e Presidentit dhe koha për progres-raportin. Koha ikën. Ne na duhet punë dhe reforma konkrete. Dialogimi duhet vlerësuar, por statusi i vendit kandidat do të merret vetëm pasi të keni plotësuar kushtet e kërkuara. Para zgjedhjeve të përgjithshme vjen zgjedhja e

Presidentit. Nuk na takon ne t’ju themi kush duhet zgjedhur, pasi kjo i takon popullit shqiptar, por i bashkëngjitem kolegut në rekomandimin se do të ishte mirë për klimën në Shqipëri dhe që të shënohet progres, që të zgjidhet dikush, i cili nuk do ta ndajë vendin, por dikush që do ta bashkojë”, deklaroi dje kreu i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore. Në këtë seancë dëgjimore, raporteri për Shqipërinë, Nikolas Kuntis, ka kërkuar sqarime nga pala shqiptare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ndërkohë zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pohoi se zgjedhja e Presidentit do të kryhet përmes bisedimeve me palët dhe ne respekt të Kushtetutës. “Zgjedhja e Presidentit është një proces i cili do të arrihet përmes negociatave me të gjitha palët, por në përputhje të plotë të Kushtetutës. Ne dëshirojmë të zgjedhim një President mbi palët, që të përmbushë me korrektësi detyrimet. Sa i përket reformës elektorale, pjesa më e madhe e amendamenteve janë miratuar dhe ju siguroj se ka një vullnet për të përmbushur të gjitha detyrimet në këtë fushë”, deklaroi dje zv.kryeministri i Shqipërisë.
Këshilli i Asociim-Stabilizmit
Tre përfaqësuesit e lartë të Shqipërisë do të marrin pjesë sot në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri- Bashkim Europian. Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, do të raportojnë në këtë takim lidhur me planin e veprimit dhe progresin e arritur nga Shqipëria në përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian. I pyetur nga media pas takimit, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pohoi se angazhimi para Këshillit të Stabilizim-Asociimit do të jetë për të punuar së bashku me opozitën për realizimin e detyrimeve.
Bushati: Duhet progres për reformën zgjedhore e parlamentare

Kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, Ditmir Bushati, deklaroi dje gjatë seancës së posaçme të Komisionit të Jashtëm të PE-së, se janë katër pika kyçe të cilat klasa politike shqiptare duhet t’i përmbushë. Bushati, si përfaqësues i opozitës në këtë mbledhje të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, theksoi se duhet të përmbyllet sa më parë reforma zgjedhore dhe numërimi elektronik i votave. Për Bushatin, një rëndësi thelbësore që maxhoranca të japë konsensus është dhe përmbyllja e reformës parlamentar dhe votimi i fshehtë për dekretet e Presidentit. “Ju kërkoni progres. Kërkoni një takim ku ne të flasim në kohën e shkuar. Mendoj se katër janë pikat kyçe ku nevojitet ende punë. Duhet të fokusohemi te reforma elektorale, pasi kërkohet një administrim dhe numërim më i mirë se ai në zgjedhjet e shkuara; duhet reforma parlamentare, të lejohet votimi i fshehtë; reforma në sistemin e Drejtësisë, që ka shumë çështje që duhen parë dhe progresi për liritë dhe të drejtat e njeriut”, theksoi Bushati.
Ministrja, Bregu: Na vlerësoni për progresin që kemi bërë
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje në seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të PE-së se Brukseli duhet të vlerësojë punën e deritanishme të Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë angazhimin për përmbylljen e detyrimeve brenda afateve. “Ju kërkojmë thjesht që të na vlerësoni për këtë progres që kemi bërë. Nëse për 2 vjet e kishit të pamundur, sot jemi këtu për t’ju konfirmuar se integrimi është axhendë mbarëkombëtare. Po mundohemi, të gjithë bashkë, institucionet shtetërore dhe agjencitë, por edhe opozita në Parlament, që të plotësojmë të gjitha detyrimet tona, jo vetëm për marrjen e statusit kandidat, por edhe për të shtruar me pjekuri rrugën e gjatë të integrimit. Heqja e imunitetit, siç e kam thënë edhe në takimin e Stabilizim-Asociimit dhe siç po e përsëris edhe tani, nuk ka arsye pse të mos votohet”, theksoi dje Bregu.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











