TIRANE- “Reforme gjysmake, jo ne interes te publikut, por ne interes te ngushte te pak aktoreve protagoniste te politikes shqiptare”. Keshtu e ka quajtur PDIU, marreveshjen e fundit mes PD-PS per reformen zgjedhore, duke shprehur indinjaten e saj per kete.
“Ne shprehim keqardhjen e thellë që kjo reformë nuk nxorri mësim nga pësimet e mëparshme të zgjedhjeve shqiptare por ishte një tjetër allish-verish që thjesht përpiqet t`i hedhi në sy ndërkombëtarëve. Ajo nuk ndryshoi sistemin e pandershëm zgjedhor që kufizon konkurrencën politike dhe e vështirëson futjen e aktorëve dhe faktorëve të rinj në garën politike duke bllokuar pluralizmin dhe qarkullimin e elitave në vendin tonë. Kjo marrëveshje nuk solli ndryshime cilësore në mënyrën e administrimit të procesit zgjedhor ,përkundrazi, konsolidoi praktikat famëkeqe të deritanishme, duke bërë të sigurtë që kalvari i mundimshëm i zgjedhjeve në Shqipëri të vazhdojë” thekson PDIU permes nje deklarate per mediat.
Sipas saj, nuk eshte pozitiv fakti qe ende procesi zgjedhor do të lihet në dorë të përfaqësuesve politike dhe sërish nuk do të administrohet në mënyrë profesionale nën garancinë e ligjit duke shkuar ndesh me një nga kriteret themelorë të Kopenhagenit për integrimin evropian që është sundimi i ligjit.
“Në të tilla kushte me hidhërim mund të thuhet me siguri të lartë që mot kemi për të patur përsëri një palë zgjedhje të tjera të kontestuara që kanë për tu organizuar në kushtet e një klime konfliktuale, me numërime të tejzgjatura që kanë për ta damkosur edhe më keq Shqipërinë në sytë e mbarë Evropës” thuhet ne deklarate.
© Panorama.al











