PDIU, ndihma në Tropojën e izoluar prej një muaji

Feb 26, 2012 | 11:37

Shpëtim Idrizi

Idrizi: Solidarizim për t’u qëndruar pranë bashkëqytetarëve tanë.

Ndihma në Tropojën e izoluar prej një muaji nga dëbora. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është solidarizuar me banorët e këtyre zonave. Ajo ka shpërndarë ndihma për më shumë se 600 familje, si kontribut i sipërmarrësve të komunitetit çam.E gjithë Tropoja, për shkak të motit të keq, ndodhet e izoluar nga pjesa tjetër e vendit, si në rrugë tokësore dhe ajo e trageteve nga liqeni. E vetmja mundësi komunikimi është lidhja me Gjakovën në Kosovë. Në këto kushte, një delegacion i drejtuar nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, vizitoi banorët e Tropojës duke u ofruar edhe ndihmën për këtë periudhë të vështirë. Banorët e zonës janë shprehur se PDIU është e vetmja forcë që u është gjendur në krah banorëve të kësaj treve nëpërmjet ndihmave të dhëna. Madje, para godinës lokale janë mbledhur dhjetëra banorë, të cilët çanë borën për të përfituar nga ushqimet që shpërndaheshin me logon e PDIU-së. “Sot ne solidarizohemi me banorët e rrethit të Tropojës, të cilët kanë kaluar një periudhë të vështirë nga ajo që është cilësuar si fenomeni më i rëndë natyror i këtij lloji në 60 vitet e fundit. Sipërmarrës të komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë janë bashkangjitur në këtë përpjekje për t’u ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve tanë. Kjo jo thjesht si një gjest human, por edhe si shenjë mirënjohjeje ndaj këtij komuniteti që është gjendur gjithmonë pranë shqiptarëve të Çamërisë”, deklaroi dje Idrizi. Nevoja që kanë banorët e zonave të izoluara dhe kërkesa për solidarizim është theksuar dhe nga kryetarja e PDIU-së në Tropojë, Sose Çapllani. I pranishëm në Tropojë ishte dhe Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini. “Kombi shqiptar ka treguar gjithmonë se bashkohet në momente fatkeqësish dhe problematikash. Situata e tanishme është e tillë, ku nevojitet mbështetja e secilit prej nesh”, tha ai. Shpërndarja e ndihmave përfundoi brenda pak orësh si pasojë e organizimit të strukturave të PDIU-së në rrethin e Tropojës. Këto ndihma kanë qenë tepër të dobishme në këto ditë të vështira për banorët.

© Panorama.al

Te lidhura