Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kërkoi dje që regjistrimi i popullsisë të mos përmbajë pyetje për etninë. Në një konferencë për shtyp nga sekretari politik, Ardian Tana, kjo forcë politike shprehet se këto pyetje mund të cenojnë harmoninë e vendit. “PDIU i bën thirrje Komisionit Shtetëror të Censusit që të mos përfshijë pyetjet mbi përkatësinë etnike dhe kombëtare dhe as të bëjë mish-mash me to. Përfshirja e tyre do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe cenim i harmonisë sonë kombëtare. Por, edhe nëse ato pyetje do të përfshiheshin abuzivisht, amendamentet e PDIU-se shtojnë garancitë që vetëdeklarimi të jetë objektivisht i kontrollueshëm”, tha Tana. Sipas tij, amendamentet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë. Kjo pasi, edhe nëse pyetjet në fjalë vihen në pyetësor në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij, INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe do të gjobisë personin abuzues. “Këto amendamente nuk kanë pse të shqetësojnë askënd, as përfaqësuesit e minoritetit, as qytetarët shqiptarë. Këto amendamente duhet të shqetësojnë vetëm ata që shpresonin të ngrinin fantazmën e të ashtuquajturit “Vorio Epir” me anë të regjistrimit, duke bërë vetëdeklarime nëpërmjet pensioneve dhe parave të thata në dorë”, tha Tana.
Replikat
PDIU ka reaguar sërish ndaj deklaratave të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke thënë se “Ne i themi zotit Dule se sot askush nuk duhet të ketë frikë të deklarojë përkatësinë etnike të vërtetë, si në kohën e Enver Hoxhës, por ky vetëdeklarim duhet të behet mbi baza objektive. Vetëm vetëdeklarimi mbi themele objektive, si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës etj është e drejtë kushtetuese dhe asgjë tjetër. Vetëdeklarim do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht dhe jo të deklarosh çfarë të duash, përfshi këtu të pavërteta”.











