
TIRANË- Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka ftuar PS-në të kandidojë liderin e vet historik, Fatos Nano dhe ta paraqesë atë në seancën e pasdites së sotme.
Në një deklaratë për mediat, Idrizi ka pranuar se në takimin e djeshëm ai ka propozuar pikërisht Nanon, kandidat për president, me të cilin sipas tij ka pasur dakordësi edhe Meta, por kjo nuk është mbështetur nga kreu i PS-së, Edi Rama.
“Kemi një tërheqje të papritur për motive personale të Hoxhës. Po kalojmë një kalvar për nevojën për konsensus dhe jemi në limitet e kohës kushtetuese. Maxhoranca është e vendosur t’i japë vendit president, ai duhet të jetë me profil të qartë publik me eksperiencë shtetari, edhe dje kërkova që ky të ishte profili i kandidatit. Madje kërkova që kandidati të jetë Fatos Nano, figurë që ka marrë dakordësi, por ka edhe axhendë që e afron vendin në BE. Jam i zhgënjyer që nuk gjeta mbështetje te PS, por mendoj se ka kohë akoma, PS duhet t’i ofrojë kandidimin Nanos në seancën e ardhshme në orën 5”- tha ai.
Më tej Idrizi ka sqaruar se dje “pati dakordësi edhe nga Meta për Nanon. Nano di të qëndrojë mbi palët, kam mbetur i zhgënjyer që kjo kandidaturë nuk u mbështet nga ata që e kanë obligim moral e publik, pra PS, të kandidojë jo vetëm liderin historik, por në figurë që nderon gjithë shqiptarët.
© Panorama.al











