
Përfaqësues të PDIU-së u takuan dje me eurodeputetin grek të Parlamentit Europian, Nikolaos Chountis. Në njoftimin për shtyp të zyrës së PDIU-së thuhet se në takim u prezantuan prioritetet kryesore në proceset integruese dhe hapat e mëtejshme që duhet të hidhen në këtë drejtim, programi dhe aksionet e partisë, si dhe shqetësimi i PDIU-së mbi kthimin e çamëve në kufi. Përfaqësuesit e PDIU-së, Nurellari, Hado e Tana, e informuan reporterin e PE-së mbi kuadrin programor të partisë, patriotizmin shtetformues dhe rolin konstruktiv të PDIU-së mbi zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, në kuadër të procesit integrues të Ballkanit Perëndimor. “Në takim u prezantuan prioritetet kryesore në proceset integruese dhe hapat e mëtejshme që duhet të hidhen në këtë drejtim, programi dhe aksionet e partisë, si dhe u prezantua shqetësimi i PDIU-së mbi kthimin e çamëve në kufi. Chountis iu dorëzua edhe dosja e plotë me të gjithë shqiptarët e Çamërisë të kthyer në kufirin shqiptaro-grek, duke iu kërkuar që kjo çështje e shkeljes të së drejtave të njeriut të gjejë përfaqësim edhe në Parlamentin Europian. Gjithashtu, iu paraqitën projektet e PDIU-së për zgjidhjen ligjore dhe diplomatike të çështjes çame, si një çështje legjitime e të drejtave të njeriut. Në fokus të bisedës ishte çështja e imunitetit si edhe 12 rekomandimet e Komisionit Europian mbi Shqipërinë. Përfaqësuesit e PDIU-së prezantuan aksionet dhe qëndrimet e PDIU-së në këtë proces, duke nënvizuar nevojën e heqjes së imunitetin si edhe faktin se deputetët e PDIU-së ishin ndër të parët që kanë nënshkruar projektligjin për heqjen e imunitetit”, thuhet në njoftimin e PDIU-së.











