PD, thirrje Ramës: Mos blloko heqjen e imunitetit

Aug 5, 2012 | 16:51

TIRANË- Një ditë para se Kuvendi të votojë për heqjen e imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese, PD ka përsëritur thirrjen drejtuar liderit të PS-së, Edi Rama për të mos u bërë pengesë dhe bllokim, duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se “PD fton Ramën të shndërrojë 6 gushtin në ditë të bardhë për cdo shqiptar duke hequr imunitetin dhe shembur me votë murin e korrupsionit që nuk lejon marrjen e statusit kandidat”.

“PD i bën thirrje Ramës të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit, duke mos bllokuar statusin. 6 gushtin ta shndërrojmë në fitore të vërtetët për shqiptarët”- tha ajo.

Sipas saj, shqiptarët presin të shohin realitet ëndrrën evropiane. “Presin që nesër ligjvënësit të mos bllokojnë statusin, ata presin që nesër të zgjedhurit të faktojnë heqjen e imunitetit që pas kësaj date askush të mos përdorë imunitetin si murojë për pasurim të paligjshëm”- tha ajo.

Sipas saj, duke bllokuar imunitetin Rama u thotë shqiptarëve se do të bllokojë për të 3 vit marrjen e statusit kandidat. “Duke ftuar Ramën të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit PD garanton shqiptarët se asgjë nuk pengon verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit”- tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura