PD: Raporti, më i miri. Rama nuk e ka lexuar

Aug 17, 2011 | 17:06

Partia Demokratike tha sot se, raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive dhe transparente. Reagimi erdhi si përgjigje, pas editorialit të shpërndarë mediave nga kreu i opozitës, Edi Rama, i cili e cilësoi raportin si objektiv, duke e vënë theksin tek roli negativ që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor luajtën në këtë proces.

“z. Rama nuk gabon kur deklaron se raporti i ODHIR-it,është më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kurrë. Por, fakti që ai pretendon se raporti ka justifikuar akuzat e tij absurde dhe të pabaza, tregon se ai nuk e ka lexuar këtë raport, ose e ka lexuar atë me syzet e shokut Ruçi”- shkruhet në reagimin e PD-së.

PD e vlerëson raportin e OSBE/ODIHR si vlerësimin më maksimal të bërë ndonjëherë nga ky organizëm, pasi sipas selisë blu, nëqoftëse nuk do të ishin plotësuar standartet e garës së lirë dhe standartet e transparencës, kushte themelore këto, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do te ishte ky vleresim.

Partia Demokratike e vlerëson editorialin e Ramës, si një shembull tjetër i lidhjeve të tij me të shkuarën, me të cilën, sipas PD-së,  qytetarët janë të lodhur.

“Në këtë letër të hapur ai është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, kur një drejtues që thurr 21 Janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe, se ftesa e tij për dialog, kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera”- thuhet me tej ne reagimin e PD-së.

PD ka përsëritur edhe njëherë ftesën për uljen në tryezë për të përmbushur rekomandimet e raportit,  pasi sipas selisë blu, qytetarët kanë nevojë pikërisht për këtë.

© Panorama.al

Te lidhura