TIRANE- Partia Demokratike reagoi menjëherë pas deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama lidhur me vendimin e një dite më parë nga Kolegji Zgjedhor. Zëdhënësja Albana Mustafaraj, tha se Rama me deklaratën e tij “formuloi sulmin e radhës ndaj institucioneve të pavarura dhe shtetit ligjor”
“Kryetari i Partisë Socialiste, që vetëm 4 ditë më parë, sulmoi vendimin e KQZ-së, me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 127 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot pas vendimit të Kolegjit që vendosi të numërojë çdo votë të panumëruar që është hedhur gabim në kutitë e garave të tjera, ai i kthehet tezës së kanibalizmit”-tha ajo.
Ajo tha se Rama e shpalli numërimin e çdo vote, si akt kanibal, sipas saj, vetëm pasi votat e numëruara e nxjerrin Ramën humbës.
Ashtu siç selia blu ka bërë në deklaratat e saj të fundit, edhe në reagimin e sotëm ajo i drejtoi disa pyetje publike, kreut socialist Rama, për të cilat tha se përgjigjet tashmë janë të ditura nga opinioni publik.
“Përse thotë z. Rama se është kanibalizëm të numërohen votat, kur dihet se kanibalizëm është të mos numërohen votat?
Përse shkon z.Rama kundër thirrjeve të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura?
Pse nuk dëshiron z. Rama të numërohet çdo votë? Përse kërkon z. Rama të mbysë zërat e qytetarëve?”-ishin pyetjet e PD për Ramën.
© Panorama.al











