TIRANE- “Edi Rama po përpiqet të përbaltë procesin më transparent në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.” Ky ishte reagimi i Partisë Demokratike, ndaj deklaratës së PS-së, ku kryeministri Sali Berisha dhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani akuzoheshin për maskaradë elektorale.
Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj në një deklaratë për mediat u shpreh se PD do ta pranojë rezultatin dhe do të presë derisa i gjithë procesi të përfundojë.
“Tani që është e qartë si kristali se qytetarët e Tiranës kanë votuar në mazhorancë kandidatin demokrat Lulzim Basha, kryeopozitari Rama njëherë flet për kanibalizëm e herë tjetër për maskarada.”- tha ajo.
Sipas Mustafaraj, e vetmja maskaradë në këtë proces është, mos dhënia e një përgjigje nga Rama, se pse ai nuk donte që të dëgjohej zëri i çdo qytetari.
Këto zgjedhje, sipas PD-se, kanë qenë zgjedhjet më të lira, të ndershmë dhe më transparentet në histori.
© Panorama.al











