TIRANË- Partia Demokratike ka përsëritur thirrjen për liderin e socialistëve, Edi Rama të lejojë deputetët të votojnë për heqjen e imunitetit më 6 gusht.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi i ka bërë thirrje Ramës të “votojnë në interes të qytetarëve dhe të mos vihet në mbrojtje të klubit të miliarderëve të PS-së”.
Sipas saj, “kryetari i opozitës po mbron murin e korrupsionit, duke ruajtur mburojën e zezë që një klub miliarderësh të Partisë Socialiste dhe zyrtarët e tjerë përdorin për të grabitur çdo ditë pasuritë e qytetarëve shqiptarë pa iu hyrë ferra në këmbë”.
“Duke bllokuar heqjen e imunitetit dhe rrëzimin e murit të korrupsionit z.Rama iu thotë qytetarëve të varfër shqiptarë se edhe pse korrupsioni ju bën ju edhe më të varfër dhe ju zhyt gjithnjë e më thellë në mjerim, imuniteti i miliardereve të Kryesisë së Partisë Socialiste nuk mundë t’i përkasë sepse për të rëndësi kryesore ka arka e tyre dhe e Partisë Socialiste që duhet të fryhet çdo ditë dhe më shumë dhe Jo kafshata e bukës e fëmijëve tuaj”-tha Bardhi.
© Panorama.al












