PD: Rama e lexoi raportin për ‘8 majin’ me syzet e Ruçit

Aug 18, 2011 | 10:30
Albana Mustafaraj

Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj letrës së hapur të kreut të PS-së, Edi Rama, për raportin e misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj, u shpreh se kryesocialisti ose nuk e ka lexuar raportin, ose e ka lexuar me syzet e kreut të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. “Partia Demokratike vlerëson se z. Rama nuk gabon kur deklaron se raporti i ODHIR-it është më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se kurrë. Por, fakti që ai pretendon se raporti ka justifikuar akuzat e tij absurde dhe të pabaza, tregon se ai nuk e ka lexuar këtë raport, ose e ka lexuar atë me syzet e shokut Ruçi. Kjo sepse, raporti i OSBE/ODHIR-it, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri shpall zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente, aspektet pozitive të të cilave janë bazë për progres të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD. Sipas demokratëve, raporti i OSBE/ ODIHR është vlerësimi më maksimal dhe më i qartë që zgjedhjet në Shqipëri kanë marrë ndonjëherë. Sipas PD-së, nëse në 8 maj nuk do të kishte standarde dhe nuk do të kishte transparencë, nuk do të bëhej ky vlerësim nga ndërkombëtarët. Më tej, PD-ja thekson se në letrën e hapur të Ramës aludohet se protestat e dhunshme në disa kryeqytete europiane mund të përsëriten edhe në Shqipëri. “Në këtë letër të hapur ai është në mbështetje të plotë të trazirave të dhunshme në Londër, Athinë dhe Paris, duke aluduar që kjo mund të ndodhë edhe në Shqipëri. Por, kur një drejtues që thur 21 janarin dhe fton për dhunë të re, tregon se është në dëshpërim të thellë dhe se ftesa e tij për dialog kontraston me provokimin që i bën ai vandalizmit dhe zjarrvënësve, që janë shfaqur rrugëve të Londrës dhe qyteteve të tjera”, theksohet më tej në deklaratën për mediat. Në fund, PD fton të gjitha partitë që të kontribuojnë në bërjen e një reforme të plotë zgjedhore, si në vitin 2005.

© Panorama.al

Te lidhura