
Komisioni i Ligjeve nis diskutimet e ndryshimeve në Kodin Civil dhe Penal.
PD: Të shfuqizohet shpifja në Kodin Penal, PS kundër.
Komisioni i Ligjeve do të nisë sot diskutimin e ndryshimeve në Kodin Civil, për të dekriminalizuar shpifjen. Ligji, që kërkon shumicë të cilësuar për t’u miratuar, është pjesë e paktit PS-PD të nënshkruar në muajin nëntor.
Shpifja për Presidentin
Përplasja e parë mes shumicës dhe opozitës pritet të jetë pikërisht propozimi i qeverisë për të shfuqizuar nenin 241 të Kodit Penal. Ky nen parashikon sanksionin kur kryhet vepra e shpifjes ndaj Presidentit të Republikës. Në këtë nen thuhet se “shpifja e qëllimshme ndaj Presidentit të Republikës dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Qeveria vendosi nw vitin 2008 ta shfuqizojë këtë nen, ndërsa opozita kërkon që neni 241, së bashku me nenin 318, që ka të bëjë me fyerjen ndaj gjyqtarit, të mos hiqen. “Nenet 241 (shpifja ndaj Presidentit të Republikës) dhe 318 (fyerja e gjyqtarit) do të ishte mirë që të qëndrojnë (sidomos neni 318), për t’i dhënë mbrojtje të posaçme dinjitetit të funksionit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore, por, në këtë rast duhet të shfuqizohet dënimi me burgim. Përndryshe krijohen probleme lidhur me parimin e barazisë para ligjit penal”, thuhet në propozimet e opozitës. Opozita kërkon gjithashtu që neni 227 “fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja” dhe neni 229 i Kodit, “veprimet fyese ndaj himnit dhe flamurit”, duhet të shfuqizohen.
Shpifja
Sipas draftit të qeverisë, shpifja do të konsiderohet tashmë një vepër civile dhe do të hiqet nga Kodi Penal. Por, një ditë përpara se të nisë diskutimi i këtij ligji, deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve kanë hartuar një memo, të cilën do ta paraqesin në mbledhjen e sotme, ku kërkojnë që shpifja të mos hiqet nga Kodi Penal. Sipas PS-së, “mbështetur në rekomandimet ndërkombëtare, përvojat e legjislacioneve të disa vendeve europiane, si dhe në traditën e praktikën aktuale shqiptare, propozimi ynë është që legjislacioni ynë të parashikojë depenalizimin e shpifjes dhe fyerjes, që do të thotë ruajtjen e këtyre dispozitave në Kodin Penal, por heqjen e dënimit me heqje lirie dhe ndëshkimin e tyre vetëm me gjobë, duke bërë dhe uljen e vlerës së saj”. Në të njëjtën kohë, në ndryshimet e Kodit Penal, të miratuara katër vjet më parë në qeveri, thuhet se nenet e shpifjes dhe fyerjes duhen shfuqizuar. “Nenet 119 (fyerja); 120 (shpifja); 239 (fyerje për shkak të detyrës); 240 (shpifja për shkak të detyrës) nuk duhet të shfuqizohen. Propozimi ynë është të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen më gjobë. Kufiri i sipërm i gjobës që parashikon ligji (3 milionë lekë) duket i lartë dhe mund të konsiderohet diskriminues për një gazetar, ndaj do të ishte me vend që masa e saj të përcaktohet në sanksionin e dispozitës”, thuhet në propozimet e opozitës.
Ndryshimi i Kodit Penal
Propozimet e PD. Pas nenit 248 (shpërdorimi i detyrës), shtohet neni 248/a:
Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore.
Dhënia në kundërshtim me ligjin, e pensioneve ose të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore, prej punonjësit që kanë detyrë t’i japin ato, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 7 vjet dhe me gjobë, nga 300 mijë deri në 1 milion lekë.. Nenet 119 (fyerja), 120 (shpifja), 227 (fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja), 229 (veprimet fyese ndaj himnit e flamurit), 235 (kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik), 239 (fyerja për shkak të detyrës), 240 (shpifja për shkak të detyrës), 241 (shpifja ndaj Presidentit të Republikës), 318 (fyerja e gjyqtarit) shfuqizohen.
. Neni 268 ishte: Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës të Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
. Neni 268 bëhet: Dëmtimi i qëllimshëm i flamurit ose i stemës së Republikës, të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Dispozitë kalimtare: Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale, të cilat shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Të dëmtuarit akuzues për çështjet e ngritura, në mbështetje të neneve 119, 120, 239, 240 e 241 kanë të drejtë të ngrenë padi civile në gjykatë, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.Propozimet e PS
.Nenet 119 (fyerja); 120 (shpifja); 239 (fyerje për shkak të detyrës); 240 (shpifja për shkak të detyrës) nuk duhet të shfuqizohen. Propozimi ynë është të shfuqizohet vetëm sanksioni i dënimit me burgim, duke i klasifikuar si kundërvajtje penale që dënohen më gjobë. Kufiri i sipërm i gjobës që parashikon ligji (3 milionë lekë) duket i lartë dhe mund të konsiderohet diskriminues për një gazetar, ndaj do të ishte me vend që masa e saj të përcaktohet në sanksionin e dispozitës.
. Nenet 227 “Fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja” dhe 229 “Veprimet fyese ndaj himnit dhe flamurit”, duhet të shfuqizohen.
. Nenet 241 (shpifja ndaj Presidentit të Republikës) dhe 318 (fyerja e gjyqtarit) do të ishte mirë që të qëndrojnë (sidomos neni 318) për t’i dhënë mbrojtje të posaçme dinjitetit të funksionit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore, por në këtë rast, duhet të shfuqizohet dënimi me burgim. Përndryshe krijohen probleme lidhur me parimin e barazisë para ligjit penal.
. Nuk argumentohet në relacion pse duhet të shfuqizohet neni 235 (kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik), i cili nuk ka asnjë lidhje me rekomandimet e KiE.
Paloka
Një ditë përpara se Komisioni i Ligjeve të nisë shqyrtimin e Kodit Civil, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, e cilëson dekriminalizimin e shpifjes si shumë të rëndësishëm. “Ky është një ndryshim mjaft i rëndësishëm, pasi kalimi nga Kodi Penal në Kodin Civil bën që gazetarët të paktën mos të kërcënohen nga rreziku i dënimit me burg. Kjo nuk është gjë e vogël”, tha dje deputeti demokrat.
Opozita
Në memon e PS-së akuzohet Kryeministri Berisha për fyerje dhe shpifje në drejtim të opozitës. “Rrezikshmëria e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes rezulton e veçantë në kontekstin shqiptar dhe për më tepër shpifja e fyerja janë dy vepra të ngritura në institucion pikërisht nga njeriu që kërkon sot t’i dekriminalizojë ato, Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Në një farë kuptimi, Berisha po kërkon të shpëtojë nga përgjegjësia penale të vetmen armë të kulturës dhe sjelljes së tij politike”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











