
Bllokohet puna në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në kapitullin e katërt të Kodit
PS kërkon dorëheqjen e zyrtarëve që kandidojnë në zgjedhje, PD kundër
Komisioni i Reformës Zgjedhore është bllokuar pasi dy partitë e mëdha nuk gjejnë konsensus sa u takon dy neneve që kanë të bëjnë me regjistrimin e subjekteve zgjedhore. Nisur dhe nga debati në zgjedhjet e fundit lokale, maj 2011, por dhe ato parlamentare, qershor 2009, PS ka propozuar që zyrtarët e lartë të japin dorëheqje nga funksionet e tyre para përfshirjes së tyre në garë. Por, demokratët nuk e kanë përkrahur këtë propozim të socialistëve. “Nuk mund të regjistrohen si kandidatë pa hequr dorë nga detyra nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe enteve publike që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe zyrtarët e tjerë, të cilëve u ndalohet me ligj aktiviteti politik gjatë ushtrimit të detyrës. Për nëpunësit e tjerë civilë zbatohet masa e pezullimit nga detyra sipas ligjit”, thuhet në formulimin e ri të nenit 63 të Kodit Zgjedhor. Por demokratët nuk janë dakord me këtë formulim, pasi sipas tyre, ky propozim kapërcen përcaktimet e nenit 69 të Kushtetutës, si dhe nuk gjen mbështetje te rekomandimet e ODIHR-it. Këtu palët ndahen dhe nuk dihet se si do të gjendet konsensusi mes tyre. Një tjetër pikë ku PD dhe PS nuk kanë gjetur konsensus, është dhe neni 67 i Kodit Zgjedhor, pika 4 e tij, që ka të bëjë me numrin e kandidatëve për deputetë në një zonë zgjedhore apo qark. Partia Socialiste propozon që “lista shumemërore të ketë aq kandidatë sa ka mandate në zonën zgjedhore përkatëse”. Kjo, sipas PS, bëhet për të mbyllur hapësirat që i lejojnë partitë t’i shmangen qëllimit të ligjit për respektimin e kuotave gjinore, shqetësim që vjen edhe nga rekomandimi 30/2009 i ODIHR-it. Sipas përfaqësuesve të PD-së, numri i kandidatëve në listë nuk është shumë i rëndësishëm që të përcaktohet. Pritet që qëndrimet e ndryshme të palëve në këtë kapitull të Kodit Zgjedhor të jenë pjesë e negocimit të përfaqësuesit të posaçëm të ODIHR-it në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Jessie Pilgrim.
Vendoret
Komisioni i Reformës Zgjedhore ka përfshirë në këtë kapitull të gjitha aktet nënligjore që i mungonin Kodit Zgjedhor mbi bazën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, sa u takon zgjedhjeve për pushtetin vendor. Kodi i ri përcakton regjistrimin e kandidatëve për bashkinë e Tiranë në KQZ, për shkak se për bashkinë e Tiranës nuk ka një KZAZ të posaçme, siç ndodh për 11 minibashkitë e kryeqytetit. Në të gjitha nenet e kapitullit të katërt ka një shtim të afateve të mëparshme që kërkohej për regjistrimin e kandidatëve, partive dhe koalicioneve.
ODIHR
Ekspertët zgjedhorë të ODIHR-it, Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin, takuan pak ditë më parë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe krerët e disa partive të vogla. Ekspertët e ODIHR-it, të cilët do të monitorojnë gjithë procesin e reformës zgjedhore, do të kenë një rol vlerësues mbi zbatueshmërinë e rekomandimeve të bëra nga ODIHR-i për dy proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri. Ata theksuan gatishmërinë e tyre për të asistuar në reformën zgjedhore, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur.
Propozimet e kapitullit IV
• Nuk mund të regjistrohen si kandidatë, pa hequr dorë nga detyra, nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues, drejtuesit e institucioneve qendrore dhe enteve publike që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe zyrtarët e tjerë, të cilëve u ndalohet me ligj aktiviteti politik gjatë ushtrimit të detyrës. Për nëpunësit e tjerë civilë zbatohet masa e pezullimit nga detyra sipas ligjit.
• Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete ose e partive të koalicionit në tërësi nuk duhet të jetë më i vogël se sa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël se sa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për listat shumemërore për këshillat e bashkisë dhe komunës zbatohet i njëjti rregull.
• Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.
• Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor, listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.
• Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij Kodi. Jo më vonë se 70 ditë (nga 60 ditë që është në Kodin aktual) para datës së zgjedhjeve, komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ, duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit.
• Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për deputet vetëm në rast se ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon jo më pak se një për qind të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, por në çdo rast jo më shumë se 3000 zgjedhës, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.
• Zgjedhësit depozitojnë në mënyrë individuale nënshkrimet e tyre për mbështetjen e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish apo për partitë dhe koalicionet e parashikuara në nenet 68 dhe 69 të këtij Kodi pranë KQZ-së. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, sipas nenit 70 të Kodit, nënshkrimet depozitohen përpara KZAZ-së.
Regjistrimi i partive në KQZ
Kodi i ri i përgatitur nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, në zbatim dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka hequr dhe disa klauzola për partitë që nuk kanë deputetë në Kuvend apo kandidojnë vetëm. Firmat që duhet të mbledhin partitë dhe kandidatët e pavarur nuk kanë më nevojë për deklarata të noterizuara, që përbënte një kosto të papërballueshme për kandidatët dhe partitë. “Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7 mijë zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit. Bashkë me nënshkrimet, zgjedhësit depozitojnë edhe fotokopje të letërnjoftimit të vlefshëm. Zgjedhësi duhet të jetë i regjistruar në zonën zgjedhore përkatëse”, thuhet në Kodin e ri.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











