
Partia Demokratike u është kundërpërgjigjur deklaratave të Pandeli Majkos për imunitetin duke akuzuar se përmes imunitetit po mbrohen pasuritë e miliarderëve të PS. Në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e së shtunës, zëdhënësja e PD deklaroi përsëri se qëndrimi i PS synon vetëm mbrojtjen e të ashtuquajturit “klubi i miliarderëve”, duke iu referuar në veçanti deputetit Sadri Abazi. “Kërcënimi i PS kundër mbajtjes së referendumit u bë pasi anëtari i klubit të miliarderëve, Sadri Abazi, nuk ka deklaruar 15 milionë dollarë, si dhe prona të tjera të kompanisë ‘Usluga’, që kërkon imunitetin e Presidentit të saj për ta mbrojtur. Ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera, që janë maja e ajsbergut e pasurive të miliarderëve të PS”, ka deklaruar zëdhënësja. Sipas saj, vetëm për të mbrojtur pasurinë e deputetit Abazi, kryetari i PS, Edi Rama dhe deputetët socialistë, janë kundër referendumit për heqjen e imunitetit, të cilin, sipas zëdhënëses, nuk do ta pengojnë dot.











