PD-PS, konsensus për Gjyqësorin

Jul 19, 2012 | 13:48

Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Konferencës Gjyqësore pritet të futet në listën e atyre që miratohen me konsensus mes maxhorancës dhe opozitës. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, PS-ja dha votat e saj për të miratuar në parim draftin e ardhur nga qeveria, megjithëse mbledhja u shoqërua nga debatet. Fillimisht ishte ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili deklaroi se ligji ishte gati që në vitin 2009, por u mbajt peng nga opozita, e cila në atë kohë kishte bojkotuar Parlamentin. “Te gjitha reformat në Drejtësi me ligjet me 3/5 janë të vonuara. Të gjithë e kanë të qartë që nga 2009-a deri në 2012-n opozita bllokoi tërësisht votimin e ligjeve me 3/5. Zjarri t’i bjerë Shqipërisë dhe ne nuk i votojmë. Gjithë krahu i opozitës ishte bosh dhe refuzoi me urdhër të Ramës pjesëmarrjen në diskutimet për ligjet me 3/5″, u shpreh Halimi. Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i opozitës. Fillimisht ishte deputetja Shega Ligori, e cila deklaroi se beteja e PS-së ishte për votën e lirë. “Nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se ligji ka nevojë për disa rregullime dhe kërkon kohën e mjaftueshme për t’u konsultuar. “Është e rëndësishme të miratohet një ligj, por është shumë më e rëndësishme të miratosh një ligj të mirë. Dhe një ligj i mirë e do dhe kohën e nevojshme, do dhe procesin e nevojshëm. Ishte mungesa e vullnetit të atij ministri për të mos e bërë këtë projekt. Ky ministër është nga ata që është përpjekur më shumë për ta kontrolluar pushtetin gjyqësor në kanale të nëndheshme”, theksoi Xhafaj. Ndërsa kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, teksa lajmëroi një seancë të hënën me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cila është edhe kryetare e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, kërkoi miratimin e draftit sa më shpejt të jetë e mundur. Mbledhja vijoi edhe me batuta mes deputetëve pas një fjale të Xhafës, sipas të cilit, Halimi mban me vete fotografinë e Kryeministrit. Deputeti i PD-së, Hoxha, u përgjigj duke thënë: “Sa qejf i ke këto fotografitë ti! S’ta kemi përmendur ndonjëherë ne që ke fjet me foton e Enverin”. Nga ana e tij Xhafaj nuk e mohoi këtë fakt, duke thënë: “Po, shumë mirë, ajo kohë ka qenë, me atë kam vlejtur”.

Debati në Komision
Eduard Halimi: Për shkak se unë kam një konferencë me dy ambasadorët e BE-së, me ambasadorin britanik dhe EURALIUS-in, do t’i vazhdoni diskutimet me stafin.
Fatmir Xhafaj: Po ne ty të duam. Çfarë i duam ata të tjerët? Unë do kërkoj ndërprerjen e mbledhjes derisa të vijë ministri. Mos ik, o zotëri, të dëgjosh disa gjëra për veten tende.
Eduard Halimi: I dëgjova të gjitha pyetjet.
Fatmir Xhafaj: Se boll gënjeve. Të dëgjosh ca gjëra. Vjen këtu, lëshon një lumë me shpifje dhe gënjeshtra dhe thotë “po iki unë”. Nuk e bën gënjeshtra as më të madh, as më të gjatë atë (Halimin).
Arenca Trashani: Mos e ofendo.
Fatmir Xhafaj: S’po e ofendoj. Ai po na ofendon. Unë dua t’i them gjërat në sy.
Ilir Rusmali: Një fotografi të ministrit na e lini aty, se e duan aty këta.
Fatmir Xhafaj: Ministri fle me fotografinë e Saliut, ti fli me fotografinë e tij, dhe jeni në rregull ju. Po nuk është problemi ynë ky, se me kë flini ju dhe me çfarë fotografish flini ju.
Fatos Hoxha: Sa qejf i ke këto fotografitë ti! S’ta kemi përmendur ndonjëherë ne që ke fjet me foton e Enverin.
Fatmir Xhafaj: Po, shumë mirë. Ajo kohë ka qenë, me atë kam fjetur.
Fatos Hoxha: Ne nuk e kishim atë shans.
Fatmir Xhafaj: Nuk e kam problem unë, as kompleks nuk e kam.
Bashkim Fino: Ti Fatos, kishe fatin të mbaje flamurin në Shkollën e Bashkuar kur ka ardhur Enveri. Ti e ke pasur këtë fat, thuaj ato të tuat, mos thuaj të Fatmirit.
Fatos Hoxha: Po, por kam mbajtur flamurin kombëtar, por fatin e Fatmirit nuk e kam pasur.

Projektligji, gjoba për avokatët që zvarrisin pa shkak proceset

Halimi: Sjellja joprofesionale e avokatëve, e patolerueshme

Eduard Halimi

Tirane – Ministria e Drejtësisë dhe misioni EURALIUS diskutuan dje ndryshimet në projektligjin për avokatinë. Duke u përqendruar te gangrena e proceseve gjyqësore gjatë viteve të fundit, ku avokatët janë kthyer nw problem, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se “zvarritja e pajustifikuar, sjellja joprofesionale, veçanërisht kur kanë sjellë pasoja juridike për shtetasit, janë të patolerueshme”. Objekt i diskutimeve u bë propozimi i Ministrisë së Drejtësisë për të shtuar në ligjin e tanishëm nenin 47/3, në të cilin, me pak fjalë, thuhet se gjykata mundet të veprojë me gjobë kur avokati vepron duke sjellë pengimin e zhvillimit të seancave. Sipas këtij neni, gjykata e gjobit avokatin 100 mijë lekë kur çështja është civile dhe 400 kur çështja është penale. Në këtë diskutim pati qëndrime të ndryshme sa u përket ndryshimeve në ligj. Avokati Fatmir Brraka e cilësoi ndërhyrjen të panevojshme dhe tha se një artikulim i tillë i nenit cenon parimin e pavarësisë së avokatëve në ushtrimin e detyrës. Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, mori shembullin kur avokati shkon në seancën e parë dhe largohet sepse kërcënohet. Duke thënë se duhet të ketë përjashtime, Haxhia tha se për rastet kur mungesa e avokatit nuk është e qëllimshme për dëmtimin e procesit, duhet gjetur një zgjidhje. Përfaqësuesi i misionit EURALIUS tha se është plotësisht dakord me nenin e shtuar në projektligj, por vuri në dukje gjobën e ulët që parashikohet. “Shuma e gjobës është qesharake, avokati vjen në gjykatë dhe për dhjetë seancat që nuk është paraqitur thotë urdhëro gjobën dhe bëj ç’të duash”, tha përfaqësuesi i EURALIUS-it. Ambasadori i BE, Etore Sekui, i pranishëm në diskutim, tha se është esenciale të ketë konsultime kur bëhen ligje të reja.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura