
Komisioni i Reformës ka edhe dy ditë kohë për të mbyllur punën. Çështjet e nxehta ku palët ndahen.
PS: Anëtari i shtatë i KQZ të zgjidhet nga Gjyqësori. PD kundër.
Afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore ka hyrë në 48 orët e fundit. Dy ekspertët e partive të mëdha dhe dhjetë anëtarët e komisionit duhet të përfundojnë gjithçka brenda ditës së martë në darkë, për shkak se mandati i tyre përfundon ditën e nesërme. Ligjërisht, Parlamenti nuk mund ta shtyjë më afatin e komisionit, pasi mbledhja më e afërt e tij është ditën e enjte dhe komisioni nuk mund të qëndrojë dy ditë pa mandat. Në këto orë të fundit, palët kanë rënë dakord për një kapitull tjetër, janë shumë pranë zgjidhjes së një çështjeje të debatuar pak ditë më parë dhe janë shumë larg sa i përket mënyrës se si do të zgjidhet KQZ-ja e re. Konkretisht, PD dhe PS kanë mbyllur punën për kapitullin e ankimimeve. Sipas amendamenteve që pritet të miratohen në një nga dy ditët e ardhshme, tetë gjyqtarët aktualë që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor nuk do të jenë më në short. Në të njëjtën kohë partive të mëdha do t’u hiqet e drejta për të kontestuar dy nga emrat që do të bëhen pjesë e shortit. Amendamenti i tretë i rëndësishëm në këtë kapitull ka të bëjë me të faktin se një forcë politike mund ta ankimojë vetëm njëherë një zonë zgjedhore dhe jo të ndodhë më si në 2011-n me Tiranën, e cila përfundoi pesë herë në Kolegjin Zgjedhor. Pika për të cilat janë afruar shumë palët është ajo e kutive. Rreth një javë pas debatit në komision për parashikimin e rasteve kur duhen hapur kutitë, PD dhe PS janë pranë gjetjes së konsensusit, megjithëse për mediat tregojnë vetëm pak detaje. Ndërsa pika për të cilën janë shumë larg njëra-tjetrës është ajo e KQZ-së. PS-ja propozon që gjashtë anëtarë të KQZ-së të zgjidhen në rastin aktual tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita. Ndërsa i shtati të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t’i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t’i hedhë në votim. Varianti i dytë, sipas PS-së, është zgjedhja e kryetarit nga Presidenti. Por maxhoranca shprehet se ky propozim nuk është në përputhje me rekomandimin e ODIHR-it, i cili flet për një KQZ të pavarur dhe të paanshme. PD-ja nga ana e saj nuk ka një propozim konkret. PD është e gatshme për një formulë që të gëzojë konsensus sa më të gjerë. Në kapitullin e KQZ-së ka edhe një pikë e cila ndan dy palët. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, nga ana tjetër, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje kushtetuese. I pyetur nga “Top Channel”, bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, tha se nëse shumica nuk pranon propozimet e opozitës për KQZ-në, kjo e fundit nuk do të votojë asnjë amendament për Kodin Zgjedhor. “Pa rikompozimin e KQZ-së, opozita nuk do të miratojë në Parlament asnjë prej amendamenteve të reformës zgjedhore”, tha Gjiknuri. Ndërsa Bylykbashi i PD-së u shpreh se “ky rekomandim (formula për KQZ-në) është arsyeja e parë pse PD refuzon formulimin e paraqitur. Ai nuk siguron zbatimin e rekomandimit të ODIHR-it. Reformat nuk bëhen me ultimatume, por me shpirt kompromisi”. Në këto pozicione ku janë palët, do të kenë vetëm 48 orë në dispozicion për të miratuar edhe ndryshimet e fundit në Kod, përpara se drafti t’i kalojë Parlamentit.
Propozimet për zgjedhjen e KQZ
Anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje
4 anëtarë propozohen nga dy partitë e mëdha në kuvend
Anëtari i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga partitë aleate të maxhorancës.
Anëtari i gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga partitë aleate të opozitës.
Anëtari i shtatë, ose kryetar i KQZ-së propozohet nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe KLD të cilët i paraqesin kuvendit të paktën dy kandidatë.
Pozita dhe opozita përzgjedhin dy kandidatë të cilët i kalojnë në komisionin e ligjeve në seancë dëgjimore
Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të KuvendVarianti 2 për zgjedhjen e kryetarit të KQZ:
Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht Kryetar i KQZ-së, zgjidhet nga Presidenti i Republikës. Përpara emërimit Presidenti konsultohet me partitë politike parlamentare.Neni 181
Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi, 30 ditë nga data e dekretimit të ndryshimeve të këtij ligji zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.Neni 182
Ndërprerja e mandatit të anëtarëve ekzistues të KQZ-së
1. Anëtarët e KQZ-së që u ndërpritet mandati para kohe për shkak të ndryshimeve të këtij Kodi, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi.
2. Anëtarit të KQZ-së, që i ndërpritet mandati për shkak të këtij Kodi, përfiton pagën e funksionit deri në 31 Dhjetor 2012.
3. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të.
BE: Reforma zgjedhore, para Presidentit
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, tha në Tiranë se Komisioni për Reformën duhet ta mbyllë punën përpara zgjedhjes së Presidentit. “Dëshiroj të them se kjo ka të bëjë me vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë, nga njëra anë, por në të njëjtën kohë edhe një vendosmëri e angazhim që unë e mora gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Rama, për të përfunduar punën që duhet bërë për sa i përket reformës zgjedhore, por edhe reformës parlamentare për rregulloren e procedurave të Parlamentit, në mënyrë që kjo të përfundohet përpara së të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të vendit”, tha Fyle.
Numërimi elektronik, si projekt pilot
Megjithëse OSBE/ODIHR-i e rrëzoi vendimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore për të përdorur lexues të kartave të identitetit dhe numërim elektronik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, teknologjia në këto zgjedhje do të jetë e pranishme. Burime pranë komisionit bëjnë të ditur për gazetën se për të shuar çdo hamendësim apo çdo dyshim se në zgjedhje do të tentojnë të votojnë persona që kanë emrin në disa qendra votimi, apo që kanë karta të falsifikuara, do të vendoset që lexuesit e ID-ve do të jenë nëpër qendra votimi. Mësohet gjithashtu se në ligj do të specifikohet qartë që ato mund të përdoren për arsye hetimi vetëm pas përfundimit të numërimit të votave, me qëllim që të mos pengojnë procesin. Në të njëjtën kohë, pritet të merret një vendim i ndërmjetëm edhe sa i përket numërimit elektronik. Megjithëse ODIHR-i doli kundër kësaj mënyre të numërimit të votave, komisioni ka rënë dakord që disa pajisje të numërimit të jenë të pranishme në KZAZ të caktuara, për të shërbyer si një projekt pilot për zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017.
Topalli: Reforma parlamentare, çështje ditësh
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se dje miratimi i reformës parlamentare është çështje ditësh. “Unë jam optimiste që edhe reforma zgjedhore do të finalizohet shumë shpejt. Reforma parlamentare do të mbyllet në pak ditë. Asgjë nuk kemi marrë dhuratë në historinë tonë. Për meritë, do të bëjmë një hap tjetër, do të hapim një stacion tjetër në historinë tonë drejt BE-së”- u shpreh Topalli gjatë një takimi me federalistët e rinj europianë, “JEF”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Muajit të Europës”, që përkon edhe me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Sipas kryeparlamentares, “në Kuvendin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, pas dy viteve të bllokimit dhe të bojkotimit nga opozita, pas marrëveshjes së 16 nëntorit po punohet në të gjitha komisionet parlamentare, nga maxhoranca dhe opozita, për të kaluar ligje që janë reformat të cilat kërkojnë 3/5 e votave. Ishte e pamundur të votonim përpara, për shkak se opozita bllokonte votën”. “Shqipëria është një rast ekselent. Çdokush mund të thotë: ‘Po, lira funksionon’. Liria bën mrekulli. Në fakt, kush e mendonte se vendi ynë mund të bëhej anëtar i NATO-s dhe se ne mund të uleshim me të njëjtin dinjitet, mundësi, shans me liderët e botës. Siç jemi ulur në tryezën e NATO-s dhe siç do të ulemi përsëri në Samitin e Çikagos, kush e mendonte se shqiptarët do të lëvizin pa viza”, tha Topalli. Ndërkaq, federalistët e rinj europianë deklaruan se puna e Kuvendit është gurë themeli për integrimin europian të Shqipërisë. Ata u shprehen se Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm në axhendën europiane dhe se shpresojnë që këtë vjeshtë vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat, ndërkohë që rinia do të luajë rolin e saj në këtë proces.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al












