PD: Pretenca e Prokurorisë, e paprecedentë

Feb 1, 2012 | 16:48
Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj

TIRANE- Partia Demokratike sulmoi sërish sot Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama duke i akuzuar ata për bashkëpunim me njëri- tjetrin në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit.

Zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj e quajti pretencën e dhënë nga Prokuroria për ngjarjet “pretencë televizive” dhe të paprecedentë, të hartuar në bashkëpunim me PS-në.

“Partia Demokratike thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri, heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre.”- thuhet në deklaratën e PD-së.

Duke iu referuar fjalës së Ramës një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, ku kreu i opozitës falënderoi kryeprokuroren për punën e bërë dhe deklaroi mbështetje për të, Mustafaraj e quajti kryesocialistin si kryeorganoizatorin e demonstratës së 21 janarit, ndërsa shtoi se, Ina Rama shpalli mbrojtësit të institucioneve kushtetuese të vendit ashtu siç i kishte shpallur zoti Rama një vit më parë, si vrasës me dashje, kurse ultimatumin e zotit Rama drejtuar Kryeministrit të vendit më 20 janar: “largohu ose do kalosh mbi kufoma”, e vlerësoi si një retorikë të thjeshtë.

Hetimi i pavarur i 21 janarit 2011, identifikimi i ideatorëve, organizatorëve, sponsorizuesve të 21 janarit, si dhe autorëve të dhunës tragjike dhe rrethanave të saj, thuhet më tej në deklaratën e PD-së, janë zotimi absolut i kësaj mazhorance.

“Ky hetim nuk do mund të pengohet as nga pretencat tuaja të përbashkëta televizive me Prokuroren e Përgjithshme, nga etiketimet që ju u bëni punonjësve që mbrojtën rendin kushtetues të vendit si vrasës me dashje dhe që së shpejti do t’i shpallni vrasës me pagesë, as nga prishja e provave dhe zhdukja e dëshmive që faktojnë gjithçka rreth skenarit të 21 Janarit 2011.”- përfundon deklarata.

© Panorama.al

Te lidhura