PD merr drejtimin e Këshillit të Tiranës, Kosovrasti kryetar

Jul 26, 2011 | 9:40

Partia Demokratike merr kryesimin e Këshillit të Bashkisë së Tiranës.
Në mbledhjen e parë, ku u verifikuan edhe mandatet e 55 këshilltarëve të rinj, gjatë votimit për kryetarin dhe nënkryetarin e Këshillit nuk pati asnjë surprizë, me përjashtim të faktit se nënkryetari i propozuar nga PD-ja, Zamir
Ndroqi, mori një votë më shumë nga socialistët. Kryetar i Këshillit për katër vitet e ardhshme do të jetë juristi i njohur i PD-së, sidomos gjatë betejës ligjore për Bashkinë e Tiranës, Njazi Kosovrasti, i cili mori 28 vota ndaj 27 të kandidates së PS-së, Mimoza Hafizi.

DEBATI
Megjithëse e para, mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak nuk ka kaluar pa debate e replika mes këshilltarëve. Sipas rendit të ditës ishte përcaktuar
që betimi i Kryetarit të Bashkisë do të bëhet përpara se të votoheshin emrat e kandidatëve për në Këshillin e qarkut Tiranë. Por, socialistët pretenduan se rendi i ditës ka ndryshuar, pasi fillimisht ishte përcaktuar që betimi i
Bashës të bëhet në fund të mbledhjes. “Votimi i anëtarëve të Këshillit të qarkut ka kaluar pas betimit të Kryetarit të Bashkisë. Ne duam që kjo procedurë të jetë siç ishte parashikuar në rendin e ditës që na keni dërguar”, u shpreh këshilltari i PS-së, Aldrin Dalipi. Fillimisht, sekretari i Këshillit, Vladimir Gjoni, sqaroi se rendi i ditës është bërë mbi bazën e një udhëzimi
të nxjerrë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili përcakton në detaje se si do të zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak. Të njëjtin qëndrim kishin edhe demokratët, të cilët kërkuan zbatimin e udhëzimit të ministrit.
“Me këtë procedurë janë zgjedhur të gjithë kryetarët e bashkive në rrethe”, tha këshilltari i PD-së, Ferdinand Poni. Sipas Dalipit, demokratët e pranuan shkeljen e ligjit për këtë rast. I menjëhershëm ishte reagimi i zv.ministrit të
Brendshëm, i cili iu drejtua Dalipit, duke i thënë “Rritu para se të më citosh mua ti”. Nga ana e tij, këshilltari socialist iu përgjigj duke i thënë “Ti i manipulon zgjedhjet, ti je manipulator. Mos përdor gjuhë gangsterësh këtu”.

Kosovrasti: Do punoj për të ardhmen e Tiranës
Njazi Kosovrasti fitoi 28 vota, ndaj 27 votave të marra nga Mimoza Hafizi
e PS-së. Gjatë numërimit, për shkak se këshilltarët socialistë votuan të fundit dhe votat e tyre po numëroheshin të parat, në një moment rezultati arriti 27-3 për Hafizin, por në fund nuk pati surpriza. Në fjalën e tij, pasi u zgjodh
Kosovrasti falënderoi ata që e kanë votuar dhe u premtoi atyre që nuk e
kanë votuar se “përpjekjet e mia do të jenë vetëm në një drejtim, si të dërgojmë përpara punët e qytetit tonë dhe besoj se edhe ata shpejt do të besojnë tek unë”.

Rrjedhin votat e PS,  Ndroqi i PD fiton për nënkryetar
Në votimin e dytë të ditës së djeshme për nënkryetarin e Këshillit Bashkiak u shënua edhe rrjedhja e parë e votave. Kandidati i mbështetur nga koalicioni i djathtë, mjeku Zamir Ndroqi, fitoi 29 vota ndaj kandidates së mbështetur nga koalicioni i majtë, ish-zv.ministrja e Financave, Adriana Berberi. Gjatë votimit të fshehtë, një këshilltar i majtë ka votuar për Ndroqin. Përpara se të
nisnin procedurat e votimit, këshilltarët e majtë kërkuan marrjen e
masave për të mos u kuptuar se për kë votonin anëtarët dhe në sallë u
krijua një ambient i fshehtë.

DEBATET NË MBLEDHJE

Aldrin Dalipi (PS): Votimi i anëtarëve të Këshillit të qarkut ka kaluar pas betimit të kryetarit të Bashkisë. Ne duam që kjo procedurë të jetë siç ishte parashikuar në rendin e ditës që na keni dërguar.
Vladimir Gjoni (sekretar i Këshillit): Ne kemi një letër nga ministri i Brendshëm për këtë punë, ku përcaktohet rendi i ditës për mbledhjen e parë.
Ferdinand Poni (PD): Ne duhet të vazhdojmë me pjesën e ngritjes së Komisionit të Verifikimit të Mandateve. Kemi dy qëndrime të ndryshme, le ta hedhim në votë.
Aldrin Dalipi: Ne duam të respektohet rregullorja, jo të bëhet ajo që keni dëshirë ju. Mos e nisni mbrapsht këtë mbledhje, ashtu siç ka ardhur deri tani kryetari i Bashkisë. Mos e prishni mbledhjen që herën e parë.
Maks Begeja (këshilltari më i vjetër): Ne duhet ta konsiderojmë vetëm mbi interesat partiakë. Rivaliteti dhe mosbesimi politik duhet të zëvendësohen me bashkëpunim reciprok.
Aldrin Dalipi: Zoti Begeja duhet të drejtojë mbledhjen si këshilltari më i vjetër dhe jo të bëjë deklarata politike.

Edvin Bushati (PS): Ne kërkojmë që të mos mandatohet sot me një udhëzim ministri kryetari i Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët e PD-së nuk i bëjnë nder qytetit të Tiranës në këtë mënyrë. Për sa kohë Basha nuk ka marrë votat për të drejtuar Bashkinë, të paktën të zbatojë procedurën.
Ferdinand Poni: Basha nuk e merr mandatin nga këshilltarët, por e ka marrë nga qytetarët.
Aldrin Dalipi: Të zbatohet rendi i ditës dhe jo udhëzimi i ministrit.
Ferdinand Poni: Me këtë procedurë janë zgjedhur të gjithë kryetarët e bashkive në rrethe.
Aldrin Dalipi: Poni sapo tha që u shkel ligji.
Ferdinand Poni: Rritu para se të më citosh mua ti.
Aldrin Dalipi: Ti i manipulon zgjedhjet, ti je manipulator.
Mos përdor gjuhë gangsterësh këtu.

© Panorama.al

Te lidhura