PD fut në axhendë dekretin e Topit për Artan Zenelin

Jul 20, 2012 | 13:12

Kryetari i Gjykatës së Tiranës të hënën te Ligjet.

Konferenca e Kryetarëve miratoi dje propozimin e maxhorancës që Komisioni i Ligjeve të mblidhet të hënën në mesditë për të zhvilluar në seancë dëgjimore me kandidatin e dekretuar nga Presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë, Artan Zeneli. Megjithëse dekreti i kreut të shtetit ka dalë që në muajin shkurt dhe afati i fundit për ta shqyrtuar atë ishte prilli, vetëm dje emri i kryetarit të Gjykatës së Tiranës është futur në procedurë parlamentare. Gjatë tri ditëve të ardhshme pritet që nga disa institucione të vijnë qëndrimet zyrtare lidhur me figurën e Zenelit përpara se deputetët ta pyesin në Komision. Kandidatura e Artan Zenelit është rrëzuar nga maxhoranca në vitin 2008, së bashku me Altina Xhoxhajn, Kristaq Trajën, Medi Bicin dhe Zamir Podën. Ai aktualisht kryen detyrën e kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Zeneli e mori këtë detyrë disa kohë pasi u dekretua po nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si gjyqtar në kryeqytet. Më 12 qershor të vitit 2009, Presidenti i Republikës pati emëruar në Gjykatën e Tiranës juristin Artan Zeneli. Më pas ai kandidoi para KLD-së dhe u zgjodh kryetar i Gjykatës së Tiranës, post të cilin e mban edhe aktualisht. Ai ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka filluar punë në organet e Drejtësisë. Është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës dhe pas disa vitesh në këtë gjykatë merr detyrën e zëvendëskryetarit të Gjykatës së kryeqytetit. Pas mbarimit të mandatit ka ushtruar profesionin e juristit si avokat për disa vite dhe më pas, në vitin 2009, është rikthyer në Gjyqësor pasi u emërua nga Presidenti si gjyqtar në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura