PD: Edi Rama, prapa pretencës së Ina Ramës

Feb 2, 2012 | 11:17

Kryeprokurorja Ina Rama

PD akuzon Prokuroren e Përgjithshme se ka amnistuar kreun e PS

“Gardistët me heroizmin e tyre hodhën në Lanë mandatet e puçistëve”

Partia Demokratike ka akuzuar dje kryeprokuroren Ina Rama, duke e cilësuar daljen publike në media si një amnisti që i bëri liderit të opozitës. Për maxhorancën, mosmarrja në konsideratë e thirrjeve publike të kryetarit të opozitës më 20 janar si prova për organizimin e protestës së dhunshme, tregon njëanshmërinë e institucionit të akuzës. “Zoti Rama faktoi se ishte ai që qëndronte prapa pretencës televizive të Ina Ramës ndaj mbrojtësve të institucioneve kushtetuese. Në fjalën e tij në Kryesinë e Partisë Socialiste, Edi Rama falënderoi zonjën Ina Rama për shpalljen e tij të pafajshëm apo amnistinë e tij si organizatori kryesor i 21 janarit 2011, mbasi në pretencën e saj televizive mbi 90 minuta, zonja Ina Rama shpalli mbrojtësit e institucioneve kushtetuese të vendit, ashtu siç i kishte shpallur zoti Rama një vit më parë, si vrasës me dashje, kurse ultimatumin e zotit Rama drejtuar Kryeministrit të vendit më 20 janar: ‘Largohu ose do kalosh mbi kufoma’, e vlerësoi si një retorikë të thjeshtë.”, pohoi dje zëdhënësja e PD-së.
Hetimi
Partia Demokratike ka deklaruar se për ngjarjet e 21 janarit do të ketë një rihetim të organizatorëve dhe të sponsorizuesve të demonstratës së dhunshme. Maxhoranca i ka cilësuar si heronj gardistët që mbrojtën institucionet e vendit. “Partia Demokratike thekson edhe njëherë se, pretenca publike televizive prej 90 minutash e Prokurores së Përgjithshme e paprecedent në historinë e një vendi të lire, akuzat e saj për vrasje me dashje ndaj oficerëve të Gardës, që me trimëri, burrëri, heroizmin e tyre mbrojtën rendin kushtetues dhe hodhën në Lanë mandatet e ëndërruara të puçistëve, dëshmojnë thjesht urrejtjen por panikun që ka mbërthyer klanin e atyre që, tek përmbysja me dhunë e pushtetit legjitim, kishin vendosur ëndrrën e mandateve të tyre”, theksoi zëdhënësja e PD.

© Panorama.al

Te lidhura