TIRANË- Ngushëllim për disfatën personale dhe ndëshkimin e kryeqytetasve në 8 maj i ka quajtur Partia Demokratike vazhdën e sulmeve të kreut të PS-së, Edi Rama, fillimisht mbi trupën e Kolegjit Zgjedhor e më tej edhe në adresë të familjarëve të kryeministrit Berisha.
Gjatë një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, e quajti lumin e akuzave si serinë e re të sulmeve dhe shpifjeve me të cilat Rama ushqen veten dhe përpiqet të shuajë pikëllimin e thellë shpirtëror për humbjen e 4 garave me 10909 vota më 8 maj në Tiranë.
“Sot për të ngushëlluar veten për disfatën e merituar personale që i rezervuan më 8 maj qytetarët e Tiranës, z. Rama në mediat e tij ndërmerr sulmin e radhës e të paskrupullt ndaj familjarëve të Kryeministrit dhe konkretisht ndaj vajzës së tij, e cila sipas Ramës paska shpërndarë nga zyrat e saj milionat e ryshfetit të gjyqtarëve”- tha ajo.
Sipas PD-së, ndëshkimi me 4 gara dhe 10909 vota ishte para së gjithash përgjigja e qytetarëve ndaj moralit të shpifjeve, trillimeve e sulmeve personale ndaj kundërshtarit politik dhe familjarëve të tij.
Ajo ka theksuar se ajo që vetë qytetarët vulosën me votë është ndëshkimi i radhës për Ramën, që u lanë në dëshpërim të shkuarën e vetmisë, moralin e përbaltjes, të shpifjeve dhe të mashtrimit.
© Panorama.al











