Partia Socialiste do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e procesit zgjedhor të Tiranës.Burime pranë selisë rozë thanë dje se kërkesa është duke u punuar dhe do të depozitohet shumë shpejt në Gjykatën Kushtetuese. Pas Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk mori në shqyrtim kërkesën e PS për pavlefshmëri të procesit zgjedhor në Tiranë për shkak të përfundimit të afatit, socialistët do t’i kërkojnë Kushtetueses shqyrtimin e çështjes në themel. Sipas selisë rozë, Kushtetuesja duhet të shprehet nëse parregullsitë në procesin e administrimit të votave, të mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve përbëjnë pavlefshmëri të procesit dhe kjo kërkon përsëritje të zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Por, në selinë rozë ka këto ditë një shqetësim lidhur me kërkesën e bërë nga Partia Bashkimi i Pensionistëve Shqiptarë, e cila kërkon në Gjykatën Kushtetuese pavlefshmëri të rezultatit dhe pezullim të tij deri në shpalljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Përfaqësues të PS kanë kontaktuar me kreun e Partisë së Pensionistëve, ku i kanë kërkuar që të tërhiqen nga kërkesa e bërë në Kushtetuese, pasi do të jetë vetë PS që do të kërkojë pavlefshmëri në një kërkesë që pritet të depozitohet shumë shpejt. I kontaktuar nga “Panorama”, kreu i pensionistëve,
Selami Jeminsheri, tha se nuk do ta tërheqë kërkesën e tij. “Nëse dëshiron, PS mund të bashkojë kërkesën e saj për pavlefshmëri me tonën. Partia e Pensionistëve të Shqipërisë nuk ka asnjë varësi nga Partia Socialiste. Unë si kryetar i kësaj partie respektoj pensionistët që u kam thënë të votojnë kandidatin e koalicionit tonë për Bashkinë e Tiranës, Edi Ramën. Por pensionistëve u kanë vjedhur votën. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me Partinë Socialiste, ishim në koalicion me PS vetëm për zgjedhjet e 8 majit, por kur ndërtohet një koalicion, merret dhe angazhimi, por ke dhe detyrimin që të mbrosh votat e mia, pasi PS kishte komisionerë në grupet e numërimit”, u shpreh Jeminsheri. I pyetur se nga kush janë vjedhur votat e pensionistëve, kreu i kësaj partie shprehet se për këtë kërkon një hetim të plotë të votave.
“Se kush i ka vjedhur votat nuk mund ta përcaktoj qartë, por di që PS dhe PD administronin votat tona. Më shumë dyshoj te Partia Demokratike, por pa u verifikuar votat s’mund të vëmë gishtin se kush na ka vjedhur më shumë”, u shpreh për “Panorama” kreu i Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese nuk ka një afat të përcaktuar se kur duhet të japë vendimin e saj në lidhje me kërkesën e depozituar nga Partia e Pensionistëve të Shqipërisë apo dhe për kërkesën që pritet të depozitohet nga Partia Socialiste. Të paktën deri në shpalljen e vendimit të saj do të kenë kaluar disa muaj nga data e depozitimit të kërkesës në këtë gjykatë, ndërkohë që rezultati i zgjedhjeve është shpallur tashmë.
Kolegji rrëzoi PS
Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë për shkak të tejkalimit të afateve kohore. Socialistët kërkuan pavlefshmëri të rezultatit dhe përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë për kryetarin e Bashkisë për shkak se në tabelat e rezultateve nuk ka përputhje mes numrit të votave dhe numrit të zgjedhësve në 284 qendra votimi.
Kërkesa e Pensionistëve
Partia e Pensionistëve të Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese “deklarimin antikushtetues të neneve 69, 70 e 87 të Ligjit Nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’; Pezullimi i zbatimit të tyre deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”. Por, në një kërkesë shtesë bërë në këtë gjykatë, kjo parti ka kërkuar dhe shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve pasi, sipas tyre, ky rezultat është produkt i një kodi zgjedhor që diskriminon partitë e vogla e veçanërisht ato që janë jashtë koalicioneve zgjedhore me partitë e mëdha.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











