Për të dytën ditë radhazi, KQZ-ja nuk miraton dot një vendim që kërkon pesë vota për shkak se përfaqësuesit e majtë kanë votuar kundër propozimit të ardhur nga administrata. Pasi dështoi në përpjekjen për të ndarë mandatet për Këshillin Bashkiak të Tiranës, anëtarët e Komisionit nuk ranë dakord për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në 3 komuna ku nuk ishte votuar më 8 maj. Në draftin e përgatitur propozohej që të shpalleshin të pavlefshme zgjedhjet në komunat Shalë në Shkodër, Mollas në Korçë dhe Pishaj në Elbasan. Por, sipas përfaqësuesve të opozitës, kjo mund të arrihej duke bërë fillimisht një vendim ku të përgatitej një tabelë dhe më pas të shpallej pavlefshmëria. “KQZ është e detyruar që ditën e zgjedhjeve të konstatojë të gjitha parregullsitë që ndodhin gjatë ditës së votimit. Këtë KQZ mund ta ketë bërë në mënyrë të mangët. KQZ duhet të nxjerrë një vendim për rezultatin në këto komuna. Kjo formë është paksa jo shumë e pastër, por prevalon fakti që zgjedhjet duhen bërë”, u shpreh Lazaj. Ky propozim i përfaqësuesit të majtë në KQZ nuk u pranua nga maxhoranca. “Ne të gjithë e kemi ditur që në këto njësi nuk ka pasur zgjedhje dhe është detyrim kushtetues për të bërë zgjedhje në këto komuna. Nëse jemi në kushtet që vota e pestë nuk është konsensus por është veto, betejat ligjore kanë edhe rrugë të tjera për t’u zgjidhur”, tha përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti. Më pas, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, replikoi me Artan Lazen, pasi e quajti dashakeqësi propozimin e këtij të fundit për zhbllokimin e kësaj situate. “Si mund të bëhet një vendim për miratimin e rezultatit kur nuk ka rezultat? Kjo vetëm dashamirëse nuk është. Kjo nuk ka logjikë. Duhet t’ju vijë turp për mënyrën se si e shpërdoroni detyrën publikisht”, iu drejtua Ristani opozitës. Pas hedhjes në votim të aktit, katër anëtarët e djathtë votuan pro, ndërsa dy anëtarët e opozitës u shprehën kundër. Në mbledhjen e djeshme munguan avokatët e PS.
Debati në mbledhjen e KQZ
Artan Laze: KQZ është e detyruar që ditën e zgjedhjeve të konstatojë të gjitha parregullsitë që ndodhin gjatë ditës së votimit. Këtë KQZ mund ta ketë bërë në mënyrë të mangët. KQZ duhet të nxjerrë një vendim për rezultatin në këto komuna. Kjo formë është paksa jo shumë e pastër, por prevalon fakti që zgjedhjet duhen bërë.
Arben Ristani: Si mund të bëhet një vendim për miratimin e rezultatit kur nuk ka rezultat?
Artan Laze: Kjo është shumë dashamirëse.
Arben Ristani: Kjo vetëm dashamirëse nuk është. Kjo nuk ka logjikë.
Artan Laze: Po mirë, lëre pastaj, ti mendon se s’ka logjikë, unë po e lë. A duhet miratuar rezultati?
Arben Ristani: Po nuk ka pasur zgjedhje, o zotëri, s’ka rezultat.
Artan Laze: Po pse nuk e bëre më 8 maj ti këtë?
Arben Ristani: Kujt i thua pse s’e ke bërë? Po ti pse s’e bëre?
Artan Laze: Si pse nuk e bëra?
Arben Ristani: Po pse, për çfarë je ti këtu, apo je për vakancë?
Artan Laze: Po ku e dija unë?
Arben Ristani: Si nuk e dije ti? Nuk e dije ti që nuk janë bërë zgjedhje në ato tri qendra? Ju jeni dhe mashtrues, o burrë. Qëllimi juaj nga fillimi i organizimit të këtyre zgjedhjeve ka qenë në mënyrë permanente për të mos bërë zgjedhje.
Artan Laze: Ja këtu e prishe fare.
Arben Ristani: Për tre muaj nuk erdhët fare në KQZ.
Artan Laze: Kjo s’ka lidhje fare.
Arben Ristani: Po, sigurisht që ka lidhje. Edhe në këtë rast doni ta lini vendin pa qeverisje vendore.
Njazi Kosovrasti: Keni dëshirë vetëm për të penguar. Mos e jep atë votën e pestë, hall i madh. Ditën që erdhi vendimi ti ngrite kokën.
Arben Ristani (i drejtohet Lazes): Më thuaj propozimin.
Artan Laze: Nuk kam asnjë propozim.
Ristani qesh me Artan Lazen.
Artan Laze: Ç’më qesh mua ti?! Sikur ka ndonjë gjë për të qeshur! Bëj çfarë të duash.
Arben Ristani: Është parë puna juaj që në mëngjes. Për fat të mirë në këtë vend funksionojnë institucionet dhe për fat të mirë nuk ngelet në dorën tuaj kjo punë. Duhet t’ju vijë turp për mënyrën se si e shpërdoroni detyrën publikisht.
Artan Laze: Ju po më hidheni në grykë mua. Ju po bëni sikur jam armik i popullit.
Arben Ristani: Po, po. Të kërkosh prishjen e zgjedhjeve dhe ta lësh vendin pa qeverisje lokale, kjo është e papranueshme.
Komunat
Më 8 maj nuk u votua në tri komuna në të gjithë vendin. Në komunën Shllak nuk u votua pasi nuk u paraqitën komisionerët e majtë; në komunën Mollas do të votohet për këshillin e komunës, për shkak se fletët e votimit ishin të një komune tjetër; në komunën Pishaj do të votohet për kryetarin e komunës dhe këshillin e komunës për shkak se te fleta e votimit, pranë emrit të kandidatit të PD-së, ishte shënuar sigla e PS.
Çështja në Kolegj
Pasi dërgoi dje në Kolegjin Zgjedhor vendimin e rrëzuar në KQZ për ndarjen e mandateve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Partia Demokratike do t’i drejtohet në ditët e ardhshme sërish Gjykatës për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në 3 komuna ku nuk u votua. Kjo është hera e tretë në shumë pak ditë që për shkak të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm në KQZ, Kolegji detyrohet të japë vendim për të zhbllokuar situatën.
© Panorama.al











