
Kuvendi i Kosovës, seancë për 4-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka siguruar mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, nëpërmjet urimit të tij për katërvjetorin e Pavarësisë së vendit. Presidenti Obama shprehet se që nga shpallja e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, më 17 shkurt 2008, vendi ka bërë përparim të rëndësishëm. “E nderuara zonja Presidente! SHBA-të do të mbeten një partner i fortë dhe ju mund të besoni në mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës”, thuhet ndër të tjera në urimin e Obamës. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka uruar popullin e Kosovës. “Kosova mund të jetë shtet i ri, por ju keni një të ardhme premtuese dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe shumetnike. Përgëzoj udhëheqësit e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj aspiratave të qytetarëve kosovarë, përmes institucioneve demokratike. Kjo rrugë do t’i çojë qytetarët e Kosovës drejt integrimit të plotë euro-atlantik”, thuhet në mesazhin e zonjës Klinton. Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri tani është njohur nga 87 shtete. Parlamenti i Kosovës mbajti dje një seancë solemne për të përkujtuar 4 vjetorin e Pavarësisë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi u shpreh se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në këtë sallë ishte një akt solemn që përmbushte idealin e shumë brezave”. Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se 4-vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën shtet sovran dhe me 87 njohje nga shtete të ndryshme të botës. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se pas 4 viteve pavarësi, qytetarët mund të krenohen me Kosovën, një shtet ku mbizotëron rendi dhe ligji, me hapa konkretë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.
Vizita
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliam Bërns, i shoqëruar nga ndihmëssekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Zbatimin e Ligjit, Uilliam R. Braunfilld, nga data 16-20 shkurt do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë në Kosovë, Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci lidhur me çështje dypalëshe dhe rajonale. Bërns do t’i nxisë vendet për bashkëpunim më të madh rajonal.
© Panorama.alPresidenti Topi
Presidenti Bamir Topi ka uruar homologen e Kosovës, Atifete Jahjaga, për Ditën e Pavarësisë, duke e siguruar se vendi i saj do të gjejë te Shqipëria gjithmonë mbështetjen e përzemërt dhe vëllazërore. “Ky është një vit i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë, duke na bërë të ndihemi shumë krenarë jo vetëm për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për progresin e madh në ndërtimin e shtetit që Kosova dhe qytetarët e saj po arrijnë, drejt përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Këto suksese janë arritur nga sakrifica të mëdha dhe shekullore”, thuhet në mesazhin e Presidentit.Kryebashkiaku Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka uruar nëpërmjet një mesazhi kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me rastin e 4-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. “Është kënaqësi e veçantë, që në emrin tim e të qytetarëve të Tiranës t’ju përcjell Ju dhe të gjithë popullit të Kosovës urimet më të përzemërta. Katër vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ju keni instaluar një model qeverisjeje, i cili është shembull në të gjithë rajonin për respektin dhe shërbimin ndaj pakicave dhe bashkëjetesës mes tyre. Te Bashkia e Tiranës e unë personalisht do të gjeni mbështetje e përkrahje për të gjitha projektet tuaja”, thuhet mes të tjerash në letrën e z.Basha.











