Pavarësia e plotë, Kosova feston me miqtë ditën e dytë

Sep 12, 2012 | 12:42

Nga shpallja e vendimit të GDN për pavarësinë e plotë të Kosovës

Ahtisari në Prishtinë: Kosova duhet të jetë një histori suksesi e BE-së.

Kosova festoi për të dytën ditë me personalitete e diplomatë nga e gjithë bota, vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për ta shkëputur nga mbikëqyrja. Në këtë ditë, aktivitetet u sollën rreth Presidentes Atifete Jahjaga, e cila ka pritur dhe dekoruar disa prej personaliteteve të ftuara në festën e pavarësisë së plotë. Dje ngjarja kryesore ishte konferenca “Kapitujt e Mbyllur në Ballkan”, ku fjala mikpritëse u mbajt nga Presidentja Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ish-kreu i zyrës së GDN në Kosovë, Piter Feith. “Po përmbyllim një kapitull të historisë më të re të Kosovës, për të hapur vizionin e një shteti demokratik”, deklaroi  Presidentja Jahjaga. Sipas saj “Kosova ka kaluar në këtë rrugë jo pa vështirësi, por ka ditur që dallimet t’i shndërrojë në përparësi… E ardhmja e Kosovës është e sigurt, si pjesë e pandashme dhe e barabartë e Europës”, theksoi Jahjaga. Ajo kujtoi se “Prej sot po marrim përgjegjësinë e plotë për të gjitha çështjet brenda vendit, duke qenë të gatshëm për të çuar përpara të gjitha proceset dhe për të garantuar vlerat tona të përbashkëta historike, kulturore e fetare”. Presidentja Jahjaga priti në një takim Presidentin Marti Ahtisari, ambasadorin Frank Uizner, ambasadorin Volfgang Ishinger, ish-shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, Mikael Shpiendeleger, si dhe ambasadorë e zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë. Në takim ishin të pranishëm edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Jahjaga dekoroi ambasadorët Uizner dhe Ishinger me “Urdhrin e Pavarësisë”, i cili u jepet personave për kontributin e tyre për pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm i Austrisë mori “Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm, Dr.Ibrahim Rugova”. Ky urdhër përmban portretin e Ibrahim Rugovës dhe u jepet personave që kanë kontribuar për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit. Feith u dekorua me “Medaljen e Paqes dhe të Pajtimit, Anton Çeta”, që u jepet personave që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë për paqen dhe pajtimin midis njerëzve. Ndërsa presidenti Marti Ahtisari është dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” në vitin 2009.
Ahtisari, në një fjalim që mbajti gjatë një konference të zhvilluar një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, tha se “Paqja nuk nënkupton harrimin e së kaluarës nga Kosova e Serbia, por pranimin se e ardhmja e tyre mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ky është një mësim për diplomacinë ndërkombëtare se suksesi i vërtetë nuk mund të gjendet në sallën e negociatave ose në nënshkrimin e marrëveshjes. Ai mund të gjendet në sjelljen e njerëzve-të ministrave, zyrtarëve e fqinjëve të përjetshëm. Ne duhet të flasim më pak për arritjen e paqes si rezultat dhe më shumë për sjelljen dhe qasjen ndaj paqes”, tha ai. Ahtisari theksoi se Kosova duhet të jetë një tregim suksesi i BE-së.

Klinton
Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, foli nëpërmjet një video-linku në konferencën e mbajtur dje në Prishtinë, duke e cilësuar fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë si ngjarje historike. Ish-presidenti amerikan ka përshëndetur shtetin e Kosovës, duke e  vlerësuar fundin e mbikëqyrjes si një mundësi që Kosova ka për të përcaktuar rolin e saj në rajon. “Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë është hap thelbësor dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të definuar rolin tuaj në rajon, në Europë dhe në botë. Ndërkohë që përballeni me sfidat dhe mundësitë nga jashtë, përfshirë BE, OKB dhe Serbinë, dhe nga brenda me sfidat e ndërtimit të një vendi me më shumë mundësi dhe përfitime të përbashkëta për të gjithë, shpresoj ta dini se keni shumë miq, të cilët urojnë të keni sukses”, tha Klinton. Klinton premtoi se Kosova do të ketë mbështetjen e tij të përhershme.

Fyle: U hap kapitulli i ri
Në Kosovë, në ditën e pavarësisë së plotë ka mbërritur edhe Komisioneri për Zgjerim dhe Politika Europiane të Fqinjësisë, Stefan Fyle. Ai është shprehur i ngazëllyer me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. U shënua “hapja e një kapitulli të ri në historinë e Kosovës”, është shprehur ai. Në një darkë ku ishin të pranishëm shumë diplomatë, Fyle ka shoqëruar fjalimin e tij me një fusnotë ku thuhej: “Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve mbi statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”. Sidoqoftë, vizita e Fyles kishte lidhje me fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë dhe kjo nuk u ka pëlqyer aspak serbëve, të cilët janë ankuar se këto janë shenja që BE po njeh pavarësinë e Kosovës. Fyle ka uruar liderët kosovarë dhe ka mbajtur një fjalim për Marti Ahtisarin, për të cilin tha se ka një ndikim themelor për atë që ka arritur Kosova sot. “Ne do t’ju mbështesim edhe në sfidat e reja”, tha Fyle në fjalim.

© Panorama.al

Te lidhura