
Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot trajtimin e të vërtetave të historisë me objektivitet dhe jashtë çdo lloj manipulimi, të zhvillimeve të një shekulli në të cilin shqiptarët u bënë të lirë dhe të pavarur.
“Po punohet në një përpjekje për ta shndërruar këtë vit në vitin e të vërtetave të mëdha kombëtare, për të cilën shqiptarët kanë nevojë, sepse i ka ndjekur një fat i keq i manipulimit të historisë. Kanë nevojë, se edhe ne, me shumë ose më pak se kombet e tjera, kemi patur ngjitjet dhe rëniet, kemi patur sukseset dhe dështimet, qëndresat dhe cedimet në rrugën tonë.”- tha Berisha në fjalën e tij.
Duke folur në mbledhjen e rradhës së Komitetit Ndërministror të 100 vjetorit të Pavarësisë, kreu i qeverisë u ndal tek Lufta Nacional Çlirimtare si dhe tek pozicioni i tradhëtarëve, për të cilët tha se “ e vërteta është që miqtë dhe aleatët tanë i angazhuan ata në detyra të rëndësishme pas luftës”
“Momente që kërkojnë një vështrim objektiv, momenti i Luftës Çlirimtare, e cila përbën gjithnjë një faqe të ndritur në historinë kombëtare, por ana tjetër e kësaj medalje është manipulimi i saj, është përdorimi i saj, edhe kundër atyre që luftuan ndën një flamur pa yll të kuq dhe që janë një realitet i pamohueshëm. Ka një moment delikat, momenti i qëndrimit ndaj disa prej këtyre zyrtarëve të lartë që u angazhuan në qeveritë e pushtuesit, ata janë kuisling, kjo është më e thjeshta për t’i shpallur, por miqtë dhe aleatët pas lufte i angazhuan ata në detyra të rëndësishme. Jashtë çdo lloj dyshimi ata nuk mund të rehabilitohen, por duhet parë në tërësi se sa ishin kuisling, që më vonë morën role të larta.”- tha kryeministri.
Berisha u ndal edhe tek organizata Vatra, e cila këtë vit feston 100 vjetorin e themelimit të saj. Kryeministri vlerësoi maksimalisht rolin e kësaj organizate. “Vatra është një simbol i shkëlqyer i kontributit të shqiptarëve të SHBA-së në marrëdhëniet tona me SHBA-të”- vlerësoi kryeministri.
© Panorama.al











