
Ndërkombëtarët e përjashtojnë nga projekti i fundit të mbikëqyrjes.
Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë e ka shkëputur trajtimin e çështjes së Veriut nga pjesa tjetër e Kosovës, duke deklaruar dje se edhe pasi të përfundojë projekti i shkëputjes totale të Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, që parashikohet të brenda këtij viti, çështja e Veriut do të vazhdojë të mbetet e hapur. Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë(ICO), Kristian Palme, i pyetur se kush do të udhëheqë procesin e adresimit të çështjes së Veriut, nëse ICO e përfundon misionin deri në fund të vitit, tha se çështja do të vazhdojë të mbetet sipërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. “Asnjë aktor nuk është përgjegjës për zgjidhjen e përhershme të situatës në Veri të Kosovës. Veriu është dhe do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, deklaroi ai. Sipas zëdhënësit Palme, qeveria e Kosovës duhet të përfundojë detyrat e mbetura në CSP (Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin), në mënyrë që ICO-ja t’i afrohet fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë në Kosovë. “Siç është theksuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues pas takimit në Vjenë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pritet që të vazhdojnë të këshillojnë qeverinë e Kosovës. Sa u përket komunave të reja, Mitrovicë/Mitrovicë Veriore, janë ndërmarrë shumica e masave, pasi qeveria e Kosovës tani u jep më shumë shërbime qytetarëve të Veriut të Kosovës se më parë. Për shembull, para 18 muajsh nuk kishte zyrë të qeverisë së Kosovës në Veri, tani janë 7 zyra funksionale. Para 18 muajsh nuk kishte asnjë aplikim për dokumente të Kosovës, tani janë më shumë se 8000”, theksoi ai. Kuvendi i Kosovës ka miratuar në fund të janarit gjatë një seance të jashtëzakonshme, projektrezolutën për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Ajo u propozua nga PDK-ja e Hashim Thaçit vetëm pak ditë pas kthimit të tij nga takimi i Vjenës, ku ndërkombëtarët deklaruan se pas përmbushjes së disa reformave të fundit, Kosova do të ishte krejtësisht e pavarur, në një proces që pritet të përfundojë brenda vitit 2012.
Të barabartë
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaron se Kosova nuk do të pranojë asnjë emërtim tjetër përveçse Republika e Kosovës, ndërsa shton se në procesin e dialogut me Serbinë ka hyrë si palë me të drejta të barabarta. Deklarata e saj është bërë në përfundim të vizitës së saj treditore në Mynih, ku ajo ishte e pranishme në Konferencën e 48-të të Sigurisë.
Kundër Busek
Bashkimi Europian nuk e ka mbështetur idenë e ish-koordinatorit të Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek, për shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Maja Koçijançiç, zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Katerine Ashton, ka deklaruar se “sa herë i referohemi Kosovës, i referohemi integritetit të plotë territorial të saj”, është shprehur Koçijançiç.











