Patos, maskat grabisin me dhunë e armë një familje

Jul 15, 2011 | 9:50

Grabisin pasi dhunojnë e kërcënojnë me armë familjen. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, sa ende pa u gdhirë, në lagjen “1 Maji”, në Patos, kur dy persona të maskuar kanë hyrë në një banesë duke terrorizuar të gjithë familjen.Sipas pronarit të banesës, shtetasi me inicialet J.D., dy autorët e ngjarjes kishin vendosur në kokë kapuç të zinj dhe kanë hyrë nga dritarja e banjës. Sipas dëshmisë së të zotit të shtëpisë, dy personat kanë qenë të armatosur. Ata kanë kërcënuar se do të vrisnin këdo që ishte brenda banesës, nëse nuk i jepnin lekët dhe sende e tjera me vlerë, si bizhuteri të florinjta etj. Fillimisht, i zoti i shtëpisë ka tentuar t’i kundërshtojë, por njëri prej grabitësve e ka qëlluar atë me grusht duke e kërcënuar se do ta gjuante me armë, nëse nuk bindej. Në këto kushte, pronari i banesës, duke mos dashur të rrezikonte jo vetëm veten e tij, por edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, u ka treguar se ku i mbante paratë dhe gjithçka që ata kërkonin. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga ana e të dëmtuarit nga kjo grabitje, autorët e ngjarjes kanë marrë një çantë në të cilën ndodheshin 300 mijë lekë të reja dhe disa sende të tjera të konsideruara me vlerë, si bizhuteri etj. Pas kësaj grabitjeje, i dëmtuari sinjalizoi policinë, por ai vetëm sa ka treguar ngjarjen, pasi nuk ka mundur të njohë asnjërin prej autorëve, për shkak se ata kanë qenë të maskuar. Pas denoncimit të kryer, policia nisi hetimet dhe në sajë të provave të siguruara në vendin e ngjarjes u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve. “Pas një pune intensive e të mirorganizuar, brenda një kohe të shkurtër, bëmë të mundur identifikimin dhe kapjen e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin me iniciale D.XH, banues në Patos. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me një persin tjetër ka hyrë i maskuar në banesën e shtetasit J.D., në lagjen “1 Maj” të qytetit të Patosit dhe nëpërmjet ushtrimit të dhunës dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur një çantë, në të cilën ndodhej shuma prej 300 mijë lekësh dhe sende të tjera”, bëri të ditur Policia. Blutë tashmë kanë shpallur në kërkim edhe autorin e dytë të grabitjes. Në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një armë luftarake gjurmëlënëse dhe një maskë.

 

PATOS/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura