Patologjitë e rënda, Vatikani kuron 23 fëmijë shqiptarë

May 8, 2012 | 13:24

Gjatë vizitës në spitalin “Gemeli”

Spitalet e Selisë së Shenjtë, trajtim për sëmundjet e gjakut e defektet në zemër.

Zv.ministri Spahia: Nga 2007, me Italinë 11 marrëveshje.

Spitalet e Selisë së Shenjtë në Vatikan hapin dyert për pacientët shqiptarë. Rreth 23 fëmijë, me patologji të rënda të gjakut apo kardiake, janë kuruar brenda një periudhe të shkurtër pranë spitalit pediatrik “Bambino Gesu”, një emër i njohur në të gjithë Europën për trajtimin me sukses të komplikacioneve kardiake të lindura apo të fituara gjatë jetës te fëmijët. Këtyre trajtimeve u shtohen dhe jo pak raste me patologji të rënda te të rriturit, trajtuar pranë “Casa Sollievo della Sofferenza”, dhe një numër i lartë trajnimesh në mjekë. “Në janar të 2009, mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitalit pediatrik universitar “Bambino Gesu” është firmosur plani konkret i bashkëpunimit në disa fusha. Një nga pikat ka qenë dhe trajtimi rasteve me sëmundje të rënda të gjakut dhe defekte komplekse kardiake. Falë një humanizmi dhe përkushtimi profesional të jashtëzakonshëm, stafi i “Bambino Gesu”, nën drejtim të prof.Profittit, ka marrë përsipër trajtimin shëndetësor, përfshi dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve financiare për 23 raste. Një numër i konsiderueshëm ky nëse do të kemi parasysh nevojat tona dhe rritjen statistikore që kanë njohur këto patologji në moshat pediatrike vitet e fundit”, u shpreh zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. I sapokthyer nga një vizitë punë në Itali, zv.ministri i Shëndetësisë tregon dhe ecurinë e bashkëpunimit me një qendër të njohur, spitalin “Gemelli”, një tjetër emër referues në fushën spitalore dhe spitalit pediatrik “Gazlini” në Genova. “Pas firmosjes së marrëveshjes në parim, tashmë po diskutohen detaje konkrete në lidhje me numrin e pacientëve, të mjekëve që do të trajnohen dhe modulitetet financiare, një pikë e rëndësishme kjo nëse kemi parasysh situatat serioze ekonomike me të cilat po përballet i gjithë rajoni”, thotë Spahia. Bashkëpunimi mes dy vendeve, Shqipëri Itali, pas firmosjes së memorandumit të bashkëpunimit në 2007, mund të cilësohen si një nga më të suksesshmit. Janë 11 marrëveshje bashkëpunimi me qendra spitalore prestigjioze italiane. Kurim pacientësh, trajnim mjekësh, bashkëpunim në fushën e barnave, shkëmbime informacioni, eksperiencë dhe literaturë.

11 marrëveshje me Italinë nga 2007
. 19 nëntor 2007, firmoset memorandumi 5-vjeçar i bashkëpunimit Shqipëri-Itali

. 23 janar 2009, plan konkret bashkëpunimi MSH dhe spitali pediatrik universitar “Bambino Gesu”

. 27 mars 2008, bashkëpunimi me MSH dhe “Casa Sollievo della Sofferenza”

. Qershor 2009, projekti i bashkëpunimit me Qendrën Spitalore Bergamo, rajoni i Lombardisë

. 24 prill 2009, memorandumi i bashkëpunimit me Agjencinë Italiane të Barnave, hedhja e hapave të para për Farmakovigjilencën

. 29 prill 2010, marrëveshje bashkëpunimi mes MSH dhe Universitetit Katolik të zemrë së shenjtë, fakultetit të mjekësisë dhe kirurgjisë “A Gemelli” në Romë dhe qendrës kërkimore dhe trajnuese tq teknologjisë së lartë në shkencat biomjekësore “Giovanni Paolo II”

. 27 korrik 2010, marrëveshje bashkëpunimi me rajonin e Toskanës

. 21 tetor 2010, marrëveshje bashkëpunimi me rajonin e Friuli, Venecia Giulia

. 2 korrik 2011, marrëveshje bashkëpunimi me Institutin e Shëndetit Publik në Itali

. 2001, binjakëzimi i Spitalit të Vlorës me Spitalin e Pizës

. Bashkëpunim i Spitalit të Shkodrës me Spitalin e Forelisë

© Panorama.al

Te lidhura