
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikon të ardhurat e dy ministrave të rinj të PD-së që pritet të votëbesohen në Parlament përpara se të marrin zyrtarisht detyrën.Gazeta publikon sot edhe pasuritë e katër deputetëve të Partisë Socialiste, disa prej të cilëve kanë deklaruar vetëm të ardhurat nga paga si parlamentarë. Hazir Gashi, deputet i Durrësit, ka deklaruar të ardhura nga firma e ndërtimit 61 milionë lekë të reja, ndërsa Ermonela Felaj ka blerë një makinë “Benz” për 7 mijë euro.
Aldo Bumçi
Ish-ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi, ka përfituar të ardhura nga rroga dhe shpërblimet për pjesëmarrjen në komisione për vitin e kaluar në shumën 2.5 milionë lekë të reja. Ndërkohë që të ardhurat e bashkëshortes së tij kanë qenë 1.1 milionë lekë të reja. Deputeti i PD-së ka deklaruar gjithashtu një llogari rrjedhëse në bankën “Credins”, e cila ka 500 mijë lekë. Në dhjetor të vitit të kaluar, Aldo Bumçi ka marrë një kredi në shumën 20 mijë euro për të rikonstruktuar banesën ekzistuese. Këtë kredi ai duhet ta shlyej për dy vite, interesi i saj mujor është 14 për qind, ndërkohë që kësti mujor, 950 euro. Në 2010-n, Bumçi ka paguar vetëm një këst mujor për këtë kredi. Përveç të ardhurave nga pagat, Aldo Bumçi ka deklaruar të ardhura nga qiratë 31 800 euro.
Eduard Halimi
Ish-zv. ministër i Drejtësisë në periudhën 2005-2008, Eduard Halimi do të rikthehet sërish në këtë dikaster, pasi të marrë pëlqimin e Parlamentit, këtë herë në postin e ministrit. Gjatë vitit të kaluar, deputeti i qarkut të Durrësit ka paguar një shumë prej 95 700 euro për blerjen e një trualli me sipërfaqe
1 100 m2 në zonën e Mulletit. Nga pjesëmarrja në Parlament dhe në Komisionin e Ligjeve, Eduard Halimi ka pasur të ardhura në shumën 2.4 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat e bashkëshortes ishin 700 mijë lekë të reja. Në vitin 2010, Halimi ka pasur të ardhura nga dhënia me qira e zyrës në kullat binjake në shumën 35 000 euro dhe në total pasuria e familjes së tij, nga detyrat shtetërore, është shtuar me 3.2 milionë lekë të reja. Deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Rrahim Çota, ka shlyer një kredi për rikonstruksionin e shtëpisë në shumën 1 milion lekë të reja, ndërsa ka deklaruar të ardhurat nga paga si deputet në shumën 3 milionë lekë të reja.
Pasurite e deputetëve
Rrahim Çota (PD)
– Paga si deputet 3.042.400 lekë
– Paka në Ministrinë e Punës 454.720 lekë
– Paga e bashkëshortes për periudhën janar- prill në shoqërinë “Çota” shpk 342.550 lekë
– Shlyerje detyrim kredie nga BKT për rikonstruksion shtëpie 1.005.000 lekë
Ilir Rusmali (PD)
– Shtuar pasuri e luajtshme, automjet Volksvagen “Tuareg” 1.154.036 lekë
– Pakësuar pasuri e luajtshme automjet Volksvagen “Tuareg” 20.000 euro
– Shtuar pasuri e luajtshme automjet Benz. Burimi i krijimit: të ardhura nga shitja e makinës “Tuareg” dhe pjesërisht nga të ardhurat vjetore të vitit 2010 27.731 euro
– Pakësuar pasuri e luajtshme cash në lek dhe Euro 100.000 lekë dhe 11.368 euro
– Paga vjetore si deputet (me përjashtim të pagës së muajit dhjetor 2010) 2.566.332 lekë dhe 1.200 euro
– Paga vjetore e bashkëshortes Drejtore në Drejtorinë e Legjislacionit në Ministrinë e Financave 2.331.010 lekë dhe 520 euro
– Mbyllur kredia e marrë për blerjen e një apartamenti. Pagesa e fundit 23.580 euro
Aldo Bumçi (PD)
– Llogari rrjedhëse page në Bankën Credins 500.000 lekë
– Të ardhura nga paga, shpërblime, dieta dhe pjesëmarrje në komisione parlamentare për vitin 2010 2.543.022 lekë
– Të ardhura nga paga e bashkëshortes 1.128.492 lekë
– Të ardhura nga qiratë e deklaruara më parë 31.800 euro
– Kredi në shumën 20.000 euro e marrë në dhjetor 2010 në Bankën Credins me afat 2 vjeçar, interes 14% dhe këst mujor 950 euro për rikonstruksion në banesën ekzistuese. Paguar gjatë vitit 2010 950 euro
Eduard Halimi (PD)
– Shtim pasurie, kontratë paraprake për blerje trualli me sipërfaqe 1.100 m2 në Mullet në bashkëpronësi 50% 95.700 euro
– Pakësim llogarie bankare për shkak të kontratës së truallit 40.000 euro
– Të ardhura nga paga si deputet 2.480.000 lekë
– Të ardhura nga paga e bashkëshortes 700.000 lekë
– Të ardhura nga qiraja e zyrës te kullat binjake për vitin 2009 35.000 euro
– Detyrim i ri për vitin 2010 për shkak të kontratës së porosisë së truallit 1.100 m2 në Mullet 7.850 euro
– Shtim pasurie në llogari bankare nga detyra shtetërore të miat dhe të bashkëshortes, si burim të ardhurash 3.200.000 lekë
Ermonela Felaj (PS)
– Blerje automjeti, autoveturë e llojit “Mercedes Benz” E 320 në shumën 7.000 euro
– Gjendje cash nga kursimet e pagës si deputete 2.000 euro
– Paga si deputete e Kuvendit të Shqipërisë 1.667.068 lekë
– Paga për vitin 2010 e bashkëshortit, oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat 600.000 lekë
– Të ardhura të përfituara nga interesa bankare të bashkëshortit 172 USD
– Të ardhura të përfituara prej meje nga interesat bankare 79 USD
Fatmir Toçi
– Llogaria personale e bashkëshortes nga paga si botuese 695.108 lekë
– Llogari personale e bashkëshortes, shtesa të vogla interesash 347.887 lekë dhe 4984 euro
– Llogari bankare në Itali 536 euro
– Depozitë në Raiffeisen Bank e paprekur gjatë vitit 2010 201.030 lekë
– Depozitë në Intesa San Paolo (shtuar interesat 54 USD) 60.457 USD, 4.979 euro dhe 4.961 lekë
– Llogari personale në Credins Bank (shtesa nga paga si deputet) 1.596.963 lekë
– Llogari personale në Tirana Bank e përbashkët me bashkëshorten 9.575 lekë
– Llogari personale në Tirana Bank në emër të bashkëshortes (shtesë vetëm interesat bankare) 1205 lekë, 90.000 lekë (depozitë), 441.848 lekë, 780 USD
– Paga si deputet për vitin 2010 1.856.405 lekë
– Paga e bashkëshortes si drejtore e Përgjithshme e Shtëpisë Botuese “Toena” 630.400 lekë
Hazir Gashi
– Gjendje në llogarinë rrjedhëse e pagës në Bankën Credins 129.471 lekë
– Të ardhura nga paga si deputet i Kuvendit 1.570.355 lekë
– Të ardhura nga fitimi neto i shoqërisë së ndërtimit për vitin 2010 61.303.661 lekë
Armando Subashi
– Kursime nga të ardhurat nga paga ime dhe e bashkëshortes 800.000 lekë
– Paga si deputet 2.191.913 lekë
– Shpërblime nga mësimdhënia te Universiteti “Kristal” në Fier 263.160 lekë
– Paga e bashkëshortes në Bashkinë Fier 374.832 lekë
Rusmali- E blen makinën 1.1 milionë, e shet 20 mijë euro
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka blerë një makinë “Volsvagen Tuareg” për 1.1 milionë lekë dhe e ka shitur 20 mijë euro. Me këto lekë ai ka blerë një makinë “Benz” në shumën 27 mijë euro. Rusmali ka deklaruar të ardhura nga paga në Parlament në shumën 2.5 milionë lekë dhe 1200 euro, ndërkohë që vjet ka paguar 23 mijë euro për të mbyllur një kredi, të cilën e kishte marrë për të blerë një apartament.
Felaj
Deputetja e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj, ka blerë gjatë vitit të kaluar një makinë tip “Benz” në shumën 7 mijë euro. Ajo ka deklaruar gjendje cash nga kursimet e pagës si deputete 2 mijë euro, ndërkohë që të ardhurat nga Parlamenti i ka pasur 1.6 milion lekë të reja. Paga e bashkëshortit të saj, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, ishte 600 000 lekë. Në deklaratën e saj të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Felaj ka shënuar edhe dy llogari bankare, të cilat ishin rritur falë interesave me 251 USD.
Toçi
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi, ka deklaruar pranë ILDKP-së se gjatë vitit 2010 paga nga Parlamenti ka qenë 1.8 milionë lekë, ndërkohë që në një llogari personale ku i kalojnë lekët e Kuvendit, ai ka ende 1.5 milionë lekë. Në deklaratën e pasurisë, Toçi ka shënuar tetë llogari bankare, dy prej të cilave depozita të cilat variojnë nga 536 euro deri në 60 mijë USD. Ndërsa paga e bashkëshortes si drejtore e Përgjithshme e Shtëpisë Botuese “Toena” për vitin 2010 ka qenë 630 400 lekë.
Subashi
Deputeti i qarkut të Fierit, Armando Subashi, ka deklaruar për vitin 2010 të ardhura vetëm nga Kuvendi dhe mësimdhënia në një universitet privat. Kështu, kursimet e tij nga pagat, përfshi edhe atë të bashkëshortes, kanë qenë 800 mijë lekë të reja. Paga e Armando Subashit si deputet për vitin e kaluar ishte 2.1 milionë lekë të reja, ndërkohë që ai ka përfituar edhe 263 mijë lekë nga mësimdhënia në universitetin “Kristal” në qytetin e Fierit. Paga e bashkëshortes së tij, e cila punon në Bashkinë e Fierit, për vitin 2010 ishte 374 mijë lekë të reja.
Gashi
Hazir Gashi, deputet i qarkut të Durrësit, ka deklaruar një llogari rrjedhëse të pagës në bankën “Credins” në shumën 129 mijë lekë të reja. Sipas deklaratës, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive
paga e tij nga Kuvendi ka qenë 1.5 milionë lekë, ndërkohë që fitimi neto i shoqërisë së ndërtimit në pronë të tij për vitin 2010 ishte 61 milionë lekë të reja. Një vit më parë, Gashi deklaroi një shoqëri ndërtimi, të cilën ai e vlerëson rreth 400 milionë lekë të reja. Më tej, ai deklaroi pasuri të paluajtshme, kryesisht ndërtime e troje në zonën e Durrësit.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











