Pastrimi i parave, zgjerohet hetimi

Jun 6, 2012 | 13:39
Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve miratoi dje me konsensus të PD-së dhe PS-së disa ndryshime në ligjin “Për parandalimin dhe pastrimin e parave dhe financimit të terrorizmit”. Diskutimi i një neni të draftit që ka të bëjë me marrëdhëniet e ngushta personale të personave të ekspozuar politikisht kaloi me batuta mes deputetëve. Pavarësisht faktit se opozita kërkoi që kjo të përcaktohet qartë, në fund u ra dakord me një variant të ri, i cili zgjeron hartën e personave që do të jenë subjekt i hetimit. Në variantin e qeverisë thuhet se në një pikë më vete në nenin 1 të ligjit ekzistues shtohet një fjali me përmbajtjen “në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”. Ndërsa në mbledhjen e djeshme të Komisionit kjo fjali u hoq, dhe në paragrafin ekzistues u shtuan fjalët “përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”. Nga ky ndryshim më i kënaqur duket se doli Drejtoria e Pastrimit të Parave, ku drejtori Arben Doçi tha pas miratimit të dispozitës: “Ne jemi dakord. Siç e thatë edhe ju, sa më shumë që të jetë e mundur të zgjerohet rrethi i atyre personave që janë të lidhur me personat e ekspozuar politikisht”. Në këtë mënyrë, nëse Parlamenti do të miratojë pa ndryshime këtë variant të Komisionit të Ligjeve, shtohet kategoria e personave të lidhur me politikanët që do të jenë nën hetim për parandalimin e pastrimit të parave.
Batutat
Gjatë diskutimit të kësaj dispozite, anëtarët e Komisionit kanë shkëmbyer batuta me njëri-tjetrin lidhur me termin “lidhje të ngushta shoqërore”, të sjellë në propozimin e qeverisë. “Me këto ndryshime do të na ikin të gjithë miqtë dhe shokët, s’do të rri asnjëri me ne”, tha Vasilika Hysi. Por, sipas drejtorit Doçi, “këto janë të gjitha subjektive, sepse është një arkëtar që do ta kontrollojë atë apo do ta shohë nëse është lidhje apo jo”. Ndërsa deputetja tjetër e PS-së, Ermonela Felaj, theksoi: “Ti nuk mund të kontrollosh edhe shokët e shkollës”. Përfaqësuesit e opozitës ngritën edhe shqetësimin e diferencës së madhe mes kufirit minimal dhe maksimal të gjobave. Sipas drejtorit të Parandalimit të Pastrimit të Parave, “gjobat maksimale mund të jenë aplikuar jo më shumë se 2-3% të rasteve të totalit të gjobave, dhe bëhet fjalë për raste ku ka shkelje të theksuara. Ka pasur raste kur kemi aplikuar edhe për heqjen e licencës së subjektit, por këto janë raste të pakta. Masat administrative kanë filluar të aplikohen nga viti 2007, ku ne kemi vendosur 153 gjoba dhe kemi kërkuar heqje licence për 4 subjekte. Nga 84 masa administrative, 64 janë arkëtuar në buxhetin e shtetit”.

Ndryshimet në ligj
Varianti i qeverisë
Në fund të pikës 10 shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”.

Varianti i Komisionit
Përpara fjalëve “me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm” të ligjit aktual, shtohen fjalët “… përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”.

Batutat në Komision
Vasilika Hysi:
Çfarë keni parasysh me lidhje të ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht?
Arben Doçi (Drejtoria e Pastrimit të Parave): Është marrë “mot a mot” kriteri i Këshillit të Europës. Ne vjet bëmë një ndryshim, ku plotësonim kriterin shtesë dhe nuk plotësonim kriterin esencial, kontrollonim personat e ekspozuar politikë vendas dhe nuk kontrollonim ata që janë të huaj, dhe e bëmë këtë ndryshim. Propozimi është futur nga ekspertët e Këshillit të Europës.
Shega Ligori: Se mos e ngatërroni dhe nuk na afrohet njeri pastaj! Do të na thonë pastaj: trego shokët.
Vasilika Hysi: Me këto ndryshime do të na ikin të gjithë miqtë dhe shokët, s’do të rri asnjëri me ne.
Arben Doçi: Këto janë të gjitha subjektive, sepse është një arkëtar që do ta kontrollojë atë apo do ta shohë nëse është lidhje apo jo.
Shega Ligori: Nëse është lidhje pune po, por jo shoqërore.
Vasilika Hysi: Lidhje shoqërore është edhe fqinji.
Shega Ligori: Për shembull, unë kam shok, Fatosin, dhe do të kontrollohet edhe ai.
Vasilika Hysi: Po nëse unë bëj pushimet me atë dhe e kam shumë mik?
Fatos Hoxha: Tamam, tamam, pastaj është tjetër gjë ajo.
Vasilika Hysi: Kufiri minimal dhe maksimal i gjobës rezulton 10 herë. Deri sot keni aplikuar gjoba dhe cila ka qenë mesatarja e tyre?
Arben Doçi: Gjobat maksimale mund të jenë aplikuar jo më shumë se 2-3% të rasteve të totalit të gjobave, dhe bëhet fjalë për raste ku ka shkelje të theksuara. Ka pasur raste kur kemi aplikuar edhe për heqjen e licencës së subjektit, por këto janë raste të pakta. Masat administrative kanë filluar të aplikohen nga viti 2007, ku ne kemi vendosur 153 gjoba dhe kemi kërkuar heqje licence për 4 subjekte. Nga 84 masa administrative, 64 janë arkëtuar në buxhetin e shtetit.
Ilir Rusmali: Kolegia Hysi ka ngritur një çështje që ka të bëjë me shqipërimin e fjalëve. Pse nuk përdorni termin “person i lidhur”, por flisni për lidhje? Ju, “lidhje personale” e keni përkthyer “anëtarët e familjes”. Lidhjet personale nuk janë anëtarët e familjes? Janë shokët dhe shoqet.
Ermonela Felaj: Nuk mund të kontrollohet çdo gjë.
Vasilika Hysi: Edhe kur dalin gratë e nxjerrin fëmijët në karrocë, lidhje shoqërore është?
Ermonela Felaj: Ti nuk mund të kontrollosh edhe shokët e shkollës.
Ilir Rusmali: A mund ta bëjmë modifikimin e pikës dy në këtë formë: përpara fjalëve “me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm” shtohen fjalët “… përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”.
Arben Doçi: Ne jemi dakord. Siç e thatë edhe ju, sa më shumë që të jetë e mundur që të zgjerohet rrethi i atyre personave që janë të lidhur me personat e ekspozuar politikisht.

Balla: Të hetohet Berisha meqë ka mik Damir Fazlliçin
Bogdani: Në hetim edhe Rama për pasurinë 3 mijë euro
Maxhoranca dhe opozita janë bërë bashkë dje për të kundërshtuar përfshirjen në kontrollin pasuror të anëtarëve të familjes, miqve apo mikeshave të politikanëve. Ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” u miratuan dje pas debateve në Komisionin e Integrimit. Anëtarët e Komisionit të Integrimit kanë kundërshtuar vetëm nenin dy të projektligjit, që ka të bëjë me zgjerimin e rrethit të hetimit, dhe në të të përfshihen dhe miq, mikeshat apo të njohur të zyrtarëve të lartë, që cilësohen si të dyshimtë për pastrim parash. Nënkryetarja e Komisionit të Integrimit, Mesila Doda, deklaroi dje se ligji duhet të jetë më specifik dhe të saktësojë listën e personave që do t’i nënshtrohen hetimit, pasi lë shkas për abuzime. Këtë qëndrim ka shprehur dhe anëtari i opozitës në Komision, Taulant Balla, i cili kërkoi që neni të jetë më i saktësuar, që t’u mbyllë shtegun keqinterpretimeve. Ndërkaq, debati në Komision ka vijuar në nivel politik teksa socialistët kanë kërkuar që pjesë e hetimit të jetë dhe Kryeministri Berisha, duke e akuzuar për lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç. “Meqenëse ligji e lejon hetimin edhe të lidhjes miqësore, duhet të hetojmë edhe Kryeministrin për pastrim parash të Damir Fazlliçit, sepse është në lidhje miqësore me personin e ekspozuar politikisht”, deklaroi Balla. Por, demokrati Gerti Bogdani kërkoi nga PS të mos spekulojë dhe deklaroi se edhe kreu i PS-së, Edi Rama, të jetë pjesë e hetimit, pasi ka deklaruar si të ardhura vetëm 3 mijë euro pasuri.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura