Pastrimi i parave, rreziku mbetet i lartë

Jul 7, 2011 | 21:23

 

Kopertina e Raportit mbi Shqiperine

Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm per të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, por gjithsesi rreziku mbetet i lartë. Ky është konstatimi i një raporti të pulikuar sot nga Komiteti i Ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Këshillin e Evropës (MONEYVAL) dhe FMN-ja.

“Megjithëse Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në drejtim të pastrimit të parave dhe financimin të terrorizmit, rreziku mbetet i lartë. Shqipëria ka një histori të krimit të organizuar me hierarki dhe klane të bazuara në rrjete të organizuara të cilat janë të përfshira kryesisht në trafikun e drogës”- thuhet në raport.

Më tej raporti vlerëson se, “pavarësisht përpjekjeve nga autoritetet përdorimi i parave përmes ekonomisë informale mbetet një problem në Shqipëri. Përdorimi i ekonomisë informale ka një ndikim në efektivitetin e përgjithshëm të masave parandaluese. Këto kanale kanë anashkaluar masat parandaluese të vendosura nga autoritetet”

Sipas raporti, Shqipëria mbetet një rrezik lidhur me financimet e mundshme të terrorizmit.

Lidhur me kuadrin ligjor për të luftuar pastrimin e parave dhe financimet e terrorizmit, raporti jep vlerësime kryesisht pozitive.“Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor, por veç kësaj, efektiviteti i zbatimit të masave parandaluese mbetet një shqetësim”

“Bashkëpunimi i brendshëm dhe ndërkombëtar është e mirë. Shqipëria ka krijuar një numër mekanizmash vendorë dhe ndërkombëtarë efikas bashkëpunimi.”- thuhet në raport.

Raporti përshkruan masat e marra dhe i analizon ato duke ofruar rekomandime se si mund të përforcohet më tej lufta në këtë drejtim. Ky është raporti i katërt për Shqipërinë, pas atij të publikuar në vitin 2006.

 

© Panorama.al

Te lidhura