Pastrimi i parave, hetim dhe të huajve

Jun 8, 2012 | 13:02

Deputeti Taulant Balla

Miratohet ligji. Balla: Berisha të flasë për Fazlliçin. Bode: Më 21 janar erdhën para nga Australia.

Ndryshimet në ligj, debat mes ministrit Bode e Rusmalit në Kuvend.

Maxhoranca dhe opozita votuan me 131 vota në tërësi disa ndryshime në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, duke zgjeruar rrethin e personave që do të hetohen.
Megjithatë, pavarësisht konsensusit gjatë votimit, deputetët e dy forcave kryesore replikuan me njëri-tjetrin lidhur me fenomenin e pastrimit të parave në vend. Duke folur në emër të Grupit të PS-së, deputeti Taulant Balla u shpreh se pasi të miratohet ky ligj, duhet të pyetet edhe Kryeministri Sali Berisha për marrëdhëniet me dy emra të lakuar për pastrim parash. “Me të hyrë në fuqi ky ligj, Sali Berisha duhet të risqarojë marrëdhënien e tij me Damir Fazlliçin. E ka mik, person të njohur, apo bashkëpunëtor të ngushtë? Me të hyrë në fuqi ky ligj, Sali Berisha duhet të sqarojë marrëdhënien e tij me shtetasin turk Ali Evsen, i cili, megjithëse është nën hetim ndërkombëtar për pastrim të parave të ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, po shfaqet shpesh në krah të Sali Berishës në darka apo vizita zyrtare. E ka mik, person të njohur apo bashkëpunëtor të ngushtë?”, u shpreh Balla. Në përgjigje të akuzave të ardhura nga opozita, ministri i Financave tha se në përpara protestës së dhunshme të 21 janarit, nga Australia erdhi një sasi jo e vogël parash që ishte pastruar. “Ndodhi 21 janari dhe ne ju njoftuam që tri ditë përpara, kemi njoftuar Prokurorinë dhe Policinë. Kanë ardhur para që ne i kemi denoncuar në Prokurori, se janë bërë pastrim në Australi. U kthye tri ditë përpara 21 janarit një shumë jo e vogël parash dhe ne ia kemi çuar Prokurorisë të gjithë dosjen. U kemi thënë: ja ku po kthehen paratë e pastruara”, tha Bode. Në debat u përfshi edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila shkëmbeu batuta me Ballën për Edi Ramën, që sipas saj, ka filluar të dëgjojë këngëtarin francez të viteve ‘60, Zhak Brel.
Bode-Rusmali
Gjatë miratimit të ligjit në Parlament, Komisioni i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve kishin bërë ndryshime në të njëjtin nen. Ministri Bode tha se nëse pranohet varianti i Komisionit të Ligjeve, hetimi për pastrim parash kufizohet vetëm në shtetasit shqiptarë, ndërsa sipas variantit të Komisionit të Ekonomisë, përfshihen edhe shtetasit e huaj me banim në vendin tonë. “Diferenca midis të shtuarit në fund dhe të shtuarin në mes, siç propozon Komisioni i Ligjeve, është kjo: se po të shtohet sipas Komisionit të Ligjeve, i bie t’i nënshtrohen kontrollit vetëm personat shqiptarë, dhe jo rezidentë të huaj që ndodhen në Shqipëri apo që mund të kenë lidhje me ekonominë shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme. Në fund do të thotë që të gjitha kategoritë, shqiptarë dhe jo shqiptarë, të hetohen për kryerjen e këtyre transaksioneve”, u shpreh Bode. Por, nga ana tjetër, Ilir Rusmali mbrojti variantin e miratuar në këtë komision, duke thënë se varianti i Komisionit të Ekonomisë lë të kuptohet që hetimi shtrihet vetëm për shtetasit e huaj me banim në Shqipëri. “Në fakt, kryetare, e thënë ashtu, nënkupton që ka lidhje vetëm me të huajt. Unë nuk kam problem të këtë lidhje me këdo, vetëm të jetë e qartë. E thënë ashtu, ka lidhje vetëm me të huajt”, u shpreh Rusmali. Pas disa diskutimesh mes Bodes dhe Rusmalit, u ra dakord që të pranohet një variant i ndërmjetëm, i propozuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit: “Zonja kryetare, në qoftë se është ky qëllimi i nismëtarëve, atëherë pjesa e fjalisë që propozon Komisioni i Ligjeve duhet të jetë pjesë dhe e fjalisë së parë të përkufizimit dhe e fjalisë së dytë të përkufizimit. Të mos lodhemi, e shkruajmë dhe për shqiptarët, familjarë dhe persona të lidhur me ta dhe për të huaj, familjarët dhe të lidhur me ta”.

Debati në Parlament
Taulant Balla:
Me të hyrë në fuqi ky ligj, Sali Berisha duhet të risqarojë marrëdhënien e tij me Damir Fazlliçin. E ka mik, person të njohur, apo bashkëpunëtor të ngushtë? Me të hyrë në fuqi ky ligj, Sali Berisha duhet të sqarojë marrëdhënien e tij me shtetasin turk Ali Evsen, i cili, megjithëse është nën hetim ndërkombëtar për pastrim të parave të ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak, po shfaqet shpesh në krah të Sali Berishës në darka apo vizita zyrtare. E ka mik, person të njohur, apo bashkëpunëtor të ngushtë?
Jozefina Topalli: Po të merret goja. Zoti Bode, urdhëroni.
Erjon Braçe: Ç’pate mi?
Jozefina Topalli: Kur njeriu flet marina pa fund, i mbahet goja. Rama ka fillu me këndu Zhak Brelin. Zhak Brelin me hijen e Jozefinës. Po i thoni more, nuk zgjidhet Presidenti duke kënduar Zhek Brelin, more zotëri.
Ridvan Bode: Ndodhi 21 janari dhe ne ju njoftuam që tri ditë përpara, kemi njoftuar Prokurorinë dhe Policinë. Kanë ardhur para që ne i kemi denoncuar në Prokurori, se janë bërë pastrim në Australi. Dhe u kthye tri ditë përpara 21 janarit një shumë jo e vogël parash. Ne ia kemi çuar Prokurorisë të gjithë dosjen dhe u kemi thënë: ja ku po kthehen paratë e pastruara.
Ridvan Bode: Te neni 1, në fakt, propozimet e dy komisioneve, atij të Ekonomisë dhe të Ligjeve, nuk konvertojnë. Komisioni i Ekonomisë thotë që paragrafi të shtohet në fund, ndërsa Komisioni i Ligjeve thotë që paragrafi të shtohet në mes të fjalisë. Pra, duhet ashtu siç është formuluar në Komisionin e Ekonomisë, në fund të fjalisë. Neni 1 i projektligjit, në pikën 10. “Në këtë kategori të shtohen dhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”. Diferenca midis të shtuarit në fund dhe të shtuarin në mes, siç propozon Komisioni i Ligjeve, është kjo: se po të shtohet sipas Komisionit të Ligjeve, i bie t’i nënshtrohen kontrollit vetëm personat shqiptarë, dhe jo rezidentë të huaj që ndodhen në Shqipëri apo që mund të kenë lidhje me ekonominë shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme. Në fund do të thotë që të gjitha kategoritë, shqiptarë dhe jo shqiptarë, të hetohen për kryerjen e këtyre transaksioneve.
Jozefina Topalli: Faleminderit. Mendoj se një zgjidhje konsensuale midis Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Ekonomisë, nuk do të ishte keq.
Ilir Rusmali: Në fakt, kryetare, e thënë ashtu, nënkupton që ka lidhje vetëm me të huajt. Unë nuk kam problem të ketë lidhje me këdo, vetëm të jetë e qartë. E thënë ashtu, ka lidhje vetëm me të huajt.
Ridvan Bode: Duhet të jenë të gjithë, që t’i nënshtrohen rregullit dhe të huajt, dhe shqiptarët. Dhe ekspertët më thonë që duhet në fund pikë më vete.
Ilir Rusmali: Zonja kryetare, në qoftë se është ky qëllimi i nismëtarëve, atëherë pjesa e fjalisë që propozon Komisioni i Ligjeve duhet të jetë pjesë edhe e fjalisë së parë të përkufizimit, dhe e fjalisë së dytë të përkufizimit. Të mos lodhemi, e shkruajmë dhe për shqiptarët, familjarë dhe persona të lidhur me ta, dhe për të huajt, familjarët dhe të lidhur me ta.

Ndryshimet në ligj
Varianti i Komisionit të Ekonomisë
Në fund të pikës 10 shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”.

Varianti i Komisionit të Ligjeve
Përpara fjalëve “me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm” të ligjit aktual, shtohen fjalët “… përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”.

Varianti i miratuar dje
Në fund të pikës 10 shtohet një fjali me këtë përmbajtje: “Në këtë kategori përfshihen qytetarët shqiptarë dhe personat e lidhur me ta, shtetasit e huaj dhe familjarët e lidhur me ta, si dhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”.

© Panorama.al

Te lidhura