Pastrimi i parave, BE: Zbatoni vetëm ligjin

Jun 24, 2011 | 11:13

TIRANE – Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Policia e Shtetit dhe Prokuroria binjakëzuan dje një strukturë të veçantë që do të ketë në objekt të punës së saj luftën kundër pastrimit të parave. Në aktivitetin e prezantimit të kësaj nisme ishte dje i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sequi. Ai tha se mekanizmi i pastrimit të parave ka ndryshuar që nga koha e Al Kapones, por shtoi se këshilla më e mirë për institucionet në Shqipëri është “zbatimi i ligjit”. “Ligjshmëria e organizuar është mënyra më e mirë për të luftuar krimin e organizuar dhe pastrimin e parave”, tha ambasadori i BE-së, duke theksuar më tej se kjo gjë kërkon vullnet politik. Po kështu, në aktivitetin e djeshëm folën edhe ministrat Ridvan Bode dhe Bujar Nishani. Bode theksoi se autoritetet e zbatimit të ligjit, në bashkëpunim mes tyre kanë identifikuar dhe bllokuar më shumë se 80 për qind të shumave të parave të pista që qarkullojnë në vend. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, Nishani, garantoi për gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të ofruar bashkëpunimin e saj edhe më tej në luftën kundër pastrimit të parave dhe veprave penale të krimit ekonomik. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha se situata ligjore në Shqipëri në fushën e parandalimit, hetimit dhe dënimit të krimit financiar dhe pastrimit të parave është në nivel të kënaqshëm. “Megjithatë, konstatohet se në praktikë ndeshen shumë probleme në kuptimin e këtyre veprave penale, në metodat e hetimit që duhen ndjekur për të mbledhur provat e nevojshme, në koordinimin e punës ndërmjet institucioneve zbatuese të ligjit, apo dhe në mënyrën e paraqitjes së rasteve para gjykatës. Të dhënat statistikore flasin qartë për numër të pakët të rasteve të dënimit penal të personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të pastrimit të produkteve të veprës penale”, theksoi Ina Rama. Sipas saj, në këto kushte bëhet gjithnjë dhe më shumë e domosdoshme që organet e zbatimit të ligjit të intensifikojnë luftën kundër këtyre fenomeneve negative, duke i njohur më mirë ato se si funksionojnë, duke trajnuar personelin e tyre në mënyrë të vazhdueshme, duke përsosur në vazhdimësi strukturat që merren me parandalimin dhe luftën e këtij lloj kriminaliteti, si dhe duke forcuar bashkëpunimin e koordinimin ndërmjet tyre.

© Panorama.al

Te lidhura