Pasqyra jonë përballë “mbretit lakuriq”

Apr 13, 2024 | 8:34
SHPËRNDAJE

NGA AGIM BAÇI Agim-Baci-1024x576-1

Është mëse e zakonshme që çdo brez është disi skeptik lidhur me fuqinë që kanë të rinjtë. U ka ndodhur edhe gjyshërve me prindërit tanë. U ka ndodhur prindërve tanë me ne. Do t’u ndodhë edhe brezave që do të vijnë. E megjithatë, kohët e ndryshme kanë patjetër sfida të ndryshme.

Në botën e sotme, ku ndryshimi ka një shpejtësi shumë më të madhe se sa ajo që kanë pasur breza më parë, pikëpyetjet dhe sfidat janë edhe më të mëdha për këdo. Kjo edhe për faktin se prej kohësh kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet në familje, në shoqëri, në prodhim, e sidomos janë vënë në diskutim kuptimet e fjalëve “e mirë”, “e keqe”, “e turpshme”, çka dhe krijon vështirësi e sfida mes brezave për kuptimin e këtyre nocioneve.

Duhet ta pranojmë se teknologjia e sotme e ka zvogëluar botën. Të rinjtë e sotëm komunikojnë lirisht me bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, flasin disa gjuhë të huaja, kanë shëtitur për të parë mjaftueshëm se si rrojnë të tjerët. Por a janë mjaftueshme të gjithë këto lehtësira dhe avantazhe që kanë të rinjtë për të besuar se brezi i ri do të mund t’i përballojë sfidat?

Bota e sotme – një botë e nënshtruar ndaj konsumizmit – është e rrezikuar nga manipulimi dhe spektakli. Të rinjtë, në shumicën e rasteve janë të joshur nga fama, për të cilën nuk kursejnë asgjë që t’ia arrijnë. Ndaj, me një të shkuar të dhunshme të gjyshërve e prindërve nën diktaturë dhe me një të tashme të manipuluar, të rinjtë kanë të drejtë të pyesin, se cilës anë duhet t’i përkasin: të jenë fëmija që thërret “Mbreti lakuriq”, si në përrallën e Andersenit, apo të duartrokasin atë që u sugjerohet si më e mira për ta, nëse pranojnë heshtjen, nëse i fshihen të vërtetës?

Kjo pyetje vjen dhe më e mprehtë në këtë kohë kur gënjeshtra ka marrë fytyrën e së vërtetës, kur kemi të bëjmë me “një shoqëri të lëngët”, siç thotë sociologu Zygmunt Bauman, pra që merr vetëm formën që i japin. Vështirësitë e përgjigjeve shtohen edhe ngase duartrokitësit që nuk e shohin “mbretin lakuriq” i fshehin dështimet pas sloganeve se “gjithçka është vendosur më parë”, se “është e kotë të luftosh sepse të këqijtë janë bashkë”, se “e drejta dhe morali të lënë vetëm dhe mund të bëhen shkak për humbje”.

Të gjitha këto justifikime, që prej kohësh thuhen kaq hapur krijojnë rreziqe të mëdha për prindërit e sotëm, të cilët kanë gjithnjë e më shumë vështirësi që të komunikojë me të rinjtë përmes së vërtetës.

Në fakt, kjo është sfida dhe këtu duhet të ndalim. Sepse sfida e parë për t’u besuar fëmijëve tanë është që ne të pranojmë se çfarë nuk mundëm të bënim siç duhet, se çfarë bëmë keq dhe çfarë nuk guxuam ta thoshim me zë të lartë, që të paktën ata të ruajnë dashurinë për ne dhe të na falin që nuk ishim aq të guximshëm për të ndaluar të keqen, që nuk mundëm t’i thoshim disa të vërteta në kohën dhe vendin e duhur e që lamë gënjeshtarët dhe “të fortët” të merrnin në dorë fatin tonë.

Filozofi Izajah Berlin shprehej se “frika ndaj lirisë nuk është gjë tjetër veçse frika ndaj zbrazësisë sonë!”. Por, liri nuk do të thotë të mos pyesësh askënd apo që të bësh ç’të duash. Përkundrazi, liri do të thotë të luftosh që të fitosh edhe kur e sheh malin e mundimshëm përpara teje. Liri do të thotë të marrësh parasysh se ç’mund të ndodhë kur thua të vërtetën, ndërkohë që të tjerët duartrokasin rrobat e mbretit që nuk i ka. Liri do të thotë të mbrosh mendimet e tua pa menduar se shkuara është e kotë.

Për këtë betejë secili ka pjesën e vet. Dhe pa u parë në këtë pasqyrë, pa pranuar se cilit krah i përkasim kur jemi përballë “mbretit lakuriq”, nuk mund të kemi asnjë shans që të fajësojmë të tjerët. Aq më pak fëmijët tanë, te të cilët në një mënyrë a në një tjetër jemi gjithnjë pasqyrë për atë që bëmë apo që nuk bëmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura