Qytetaret e Kosoves, te lire te udhetojne ne Serbi me pasaportat e tyre? Ende nuk ka asnje siguri.
Vetëm disa orë pas një deklarate dhënë për Radio Dukagjinin, ku është cituar të ketë thënë se së shpejti Serbia do të lejojë qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Serbi me pasaporta kosovare, kryenegociatori serb, Boprisllav Stefanovic e mohoi serish.
Në një deklaratë të re dhënë gazetës Blic, kryenegociatori serb në dialogun teknik me Prishtinën, tha se “nuk ka deklaruar që qytetarët e Kosovës munden të kalojnë në Serbi me pasaporta kosovare”.
Pos këtij mohimi, Blic nuk sjellë asnjë prononcim tjetër të Stefanoviqit lidhur me këtë mohim.
Me heret, ai kishte deklaruar se qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Serbi me pasaporta kosovare.
Në një intervistë dhënë Radio Dukagjinit, Stefanovic ka thënë se në marrëveshjet e ardhshme do të ketë “shumë gjëra të dobishme” për të dy palët, duke mos prejudikuar me këtë rast statusin e Kosovës.
“Mund të them se ka shumë gjëra të mira nga të cilat do të kenë dobi të gjithë që jetojnë në Kosovë dhe përfundimisht njerëzit do të mund të udhëtojnë lirisht dhe të shfrytëzojnë të drejtat dhe dokumentet e tyre, pa prejudikim të statusit të Kosovës. Besoj se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona për të ndërtuar besim dhe fleksibilitet më të madh, pasi që, siç e dini, jemi përballuar me shumë vështirësi”, tha Stefanovic.
© Panorama.al











