Pasagjerja plagos me thikë shoferin e autobusit të linjës Tiranë-Athinë

Jul 6, 2012 | 13:50

TIRANE – Shoferi i një autobusi të linjës Tiranë-Athinë ka mbetur i plagosur rëndë nga dy goditje me thikë nga një grua. Ngjarja ka ndodhur në kohën kur ai po bëhej gati për të ndaluar në qendër të kryeqytetit. Plagosja mësohet se ka ndodhur gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës, në afërsi të bulevardit “Zogu i Parë” në Tiranë. Autorja e ngjarjes është arrestuar në flagrancë menjëherë pas ngjarjes, duke pranuar autorësinë e krimit. Ndërsa i plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku pas kujdesit të mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, i dëmtuari është Fatmir Karaj, 45 vjeç, baba i dy fëmijëve, drejtuesi i një prej autobusëve që bën linjën Tiranë-Athinë-Tiranë. Ndërsa autorja e dyshuar e ngjarjes është 53-vjeçarja Xheje Mamxi, tashmë e arrestuar. Nisur nga deklarimet e pasagjerëve të tjerë, që ishin edhe dëshmitarë të ngjarjes, me sa duket plagosja ka ndodhur pas debateve të vazhdueshme mes autores dhe drejtuesit të autobusit për shkak të ndalesave të shumta gjatë rrugës për në Tiranë. Ky është edhe versioni zyrtar që dha dje Policia e kryeqytetit, nisur edhe nga deklarimet e dëshmitarëve, por edhe të vetë së arrestuarës. Por dy dëshmi të tjera të dhëna për grupin hetimor kanë hedhur dyshime edhe për një plagosje, shkak i së cilës ka qenë xhelozia, por pa shpjeguar me saktësi se për çfarë bëhej fjalë. Personat që kanë deklaruar në Polici duke dhënë këtë version për ngjarjen, janë shprehur se debati mes shoferit dhe pasagjeres linte të kuptonte për një njohje të mëparshme mes tyre, edhe pse ky fakt nuk konfirmohet nga burimet zyrtare. Salla Operative e Policisë së Tiranës është sinjalizuar të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 23:00, se në autobusin që kthehej nga Athina në Tiranë kishte ndodhur një plagosje. Nisur nga vendndodhja e autobusit, në bulevardin “Zogu i Parë”, pranë qendrës, në vendin e ngjarjes fillimisht kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 3, më pas edhe oficerët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Autorja e ngjarjes, Xheje Manxi, ka qëndruar në autobus derisa ka mbërritur policia, pa e lëshuar thikën nga dora. Ndërsa deklarimet e para janë marrë në vendin e ngjarjes pas transportimit në spital të të plagosurit. Arma e ftohtë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe sipas burimeve, është një thikë buke që 53-vjeçarja e ka pasur gjatë gjithë rrugës në çantë. Ndërsa sipas deklarimeve të saj dhe dëshmitarëve, ngjarja ka ndodhur pas një debati mes autores dhe shoferit për shkak se udhëtimi kishte zgjatur më shumë orë se zakonisht. Për këtë arsye ajo kishte fajësuar drejtuesin e autobusit, që sipas saj kishte bërë ndalesa më shumë se sa duhej.

© Panorama.al

Te lidhura