Pas vizitës së Topit, Kuvajti Ok kredisë 5.5 milionë euro për sheshin

May 30, 2012 | 15:26

Qeveria kuvajtiane lëvron këstin e dytë 5.5 milionë euro për sheshin “Skëndërbej”. Vendimi i është komunikuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili ka zhvilluar një vizitë dyditore në Kuvajt. Nga sa u bë me dije nga burime pranë Presidencës, pas interesimit për këtë fond nga Presidenti Topi gjatë takimit të ditës së parë me Emirin dhe Kryeministrin e Kuvajtit, dje qeveria kuvajtiane mori vendimin e posaçëm për të lëvruar këstin e dytë të fondit të zhvillimit për Shqipërinë. Kryebashkiaku Basha gjithashtu ka pasur disa takime për përfaqësuesit e qeverisë kuvajtiane disa muaj më parë dhe ka marrë garancitë për lëvrimin e këtij fondi. Ai bëri me dije dje një tjetër iniciativë. Arkitektët më në zë të botës do të sjellin në Shqipëri projektet më të avancuara të kësaj fushe. Muajt shtator dhe tetor do ta kthejnë Tiranën në qendrën e prezantimit për arkitekturën, artin dhe dizajnin. Iniciativa e Bashkisë së Tiranës dhe universitetit “Polis” pritet të jetë një kontribut i madh për një sërë projektesh të rëndësishme që parashikohen të implementohen në kryeqytet. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi të zhvilluar në universitetin “Polis”, i konsideroi “Javët e Arkitekturës” një shans të madh për të gjithë qytetarët. “Ne do të shikojmë që të evidentojmë vlerat më të mira të arkitekturës europiane dhe botërore në qytet, të mundësojmë që këto vlera të mos largohen bashkë me përfundimin e javëve të arkitekturës, por të qëndrojnë në qytetin tonë dhe të bëhen pjesë e planeve të mëdha të zhvillimit të qytetit tonë, duke përfshirë këtu edhe projektet strategjike, njërin prej të cilëve kemi filluar ta përparësojmë me BERZH, atë të ndërtimit të terminalit të ri multimodal të pasagjerëve”, tha kryebashkiaku Basha. Ai nënvizoi potencialet, energjinë dhe frymëzimin e madh që mbart qyteti për arkitektë dhe studio arkitekturore, ndër më të mirat në botë, gjë që u dëshmua edhe në konkursin për bulevardin dhe lumin e Tiranës. Basha theksoi se planifikimi i mirë është garanci për një zhvillim të qëndrueshëm, jo vetëm për sot, por për brezat që do të vijnë. Ai shtoi se institucioni që drejton është në një proces të ethshëm planifikimi dhe riplanifikimi të zhvillimit të qytetit. “Të gjithë jeni dëshmitarë se si, pas një procesi jo të shkurtër por të frytshëm, pas një pjesëmarrjeje dinjitoze të shtatë prej studiove më të mira arkitekturore në botë, ne arritëm të përzgjedhim “Grimshaw Architects”, për një projekt strategjik për Tiranën, rimodelimin e hapësirës së 1/5-ës së Tiranës, nëpërmjet asaj që njihet si konkursi i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, i cili në fakt është një model i ri qytetërimi, që ne duam të zhvillojmë në një të pestën më të pazhvilluar të qytetit. Po kështu, javën e kaluar shpallëm publikisht draftin e planit urbanistik, i cili është produkt i një pune voluminoze”, tha Basha.

© Panorama.al

Te lidhura