Nga Petraq Xhaçka
Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste.
Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Nuk di cilin tjetër, por mua më thirrën në hetuesinë speciale, në Tiranë. Më bënë të ditur që në një orë të caktuar, të paraqitesha në hyrje të Burgut të Ri. Vendi ku më thërrisnin, m’u duk ogurzi. Megjithatë tronditja që pata kur ma thanë, nuk ishte asgjë para asaj që ndjeva e pashë, kur hyra brenda në ndërtesën e rëndë e të frikshme të Burgut të Ri të Tiranës. Më futën nga dera e madhe e hekurt dhe më shoqëruan nëpër korridoret e katit dytë të burgut. Aty kalova nëpër disa dyer të tjera prej hekuri, të montuara përgjatë korridorit, në një distancë prej disa metrash nga njëra – tjetra. Secila nga këto porta, ruhej prej një ushtari. Zymtësia e atyshme më futi një ndjenjë tmerri, që përfshiu tërë qenien time.
Në një zyrë me dritare të përforcuara me hekura të trashë më pritën dy hetues, emrat e të cilëve nuk i mësova kurrë. Njëri prej tyre, me një trup të madh, linte të dukej që ishte ai përgjegjësi, ndërsa tjetri ishte me një shtat të imët dhe pak si ezmer. Më thanë të ulesha. Me ndjenjën e pafajësisë, duke menduar sidoqoftë se nuk quhesha unë subjekti fajtor dhe e shumta se do të më pyesnin, për të qartësuar disa probleme debatesh teknike me specialistët e burgosur, u drejtova tek një karrige e lirë, që ishte në afërsi të dritares dhe bëra të ulem pranë tavolinës së hetuesit. Ai ndërhyri menjëherë dhe më tha se duhej ta lija atë karrige, sepse ajo nuk ishte për mua. Më tregoi me gisht një karrige tjetër, përballë tavolinës, pranë faqes së murit.
Ajo i ngjante një bangoje shkolle, tepër e vogël për një njeri me fizik si imi. Ishte prej dërrase dhe e mbërthyer në dysheme.
Ishte hera e parë që në jetën time, hyja në një ambient hetuesisë, që m’u duk aspak i këndshëm. Nga kjo dhe nga mënyra se si mi drejtonin pyetjet, e kuptova se afërsisht, edhe unë isha në pozitat e një gjysëm të akuzuari. Për ta, me sa dukej, kushdo që merrej me nxjerrjen e naftës, bënte pjesë në kontingjentet e armikut. Pyetjet shkuan gjatë, afro tri orë. Thelbi, ishin planifikimet e fryra e të pabazuara të kërkimeve dhe të nivelit të nxjerrjes së naftës, hartuar kryesisht nga autoritetet shtetërore dhe partiake, për të cilat unë kisha shfaqur kundërshtime, qëndrim i drejtë ky, që unë e mbrojta dhe aty.
I quajta dhe në hetuesi; plane jo të bazuar mirë teknikisht, sidomos për punimet dhe vlerësimet jo të sakta të rezervave të naftës e gazit, në shtratimin e Sarandës. Këto të vërteta ishin dhe të argumentuara shkencërisht, por të hynin të dridhurat, tek i shikoje ata njerëz, ndërsa i shkruanin me kujdes në letër dhe të kërkonin në fund, të nënshkruaje të gjitha përgjigjet. Vetëm pas kësaj, më liruan. E theksoj edhe një herë, se gjatë gjithë kohës, nuk më ofruan asnjë cigare apo gotë ujë, e nuk shkëmbyen me mua asnjë fjalë të lire, jashtë pyetësorëve, si për kohën e shëndetin, që sado formale janë, do të tregonin se ata nuk kishin të bënin me një të akuzuar.
U ktheva në shtëpinë time në Fier, i shtypur nga pesha e atij ambienti të rëndë. Më dukej se ende e kisha gojën të tharë nga ajo seancë pyetjesh, për të cilat, më së shumti, kërkonin përgjigje, që të nxirrnin në atë përfundim, që u interesonte atyre. Këtë e bënin më kollaj kur, për shembull, futej në lojë përplasja ime me ndonjë nga specialistët e burgosur: Le të kishte qenë ai një debat tekniko profesional! Ata gjallëroheshin, duke e shtyrë ngjarjen drejt kuptimit politik, e duke i dhënë pozicionit të grupit, një ngjyrë sabotazhi. Tërë kohën atë ditë, me ishte dukur vetja zog i zënë në leqe. Dhe kjo nuk mbaroi me kaq. Më thirrën te Burgu i Ri edhe tri herë të tjera. Orë të tëra, i njëjti mjedis, e njëjta mungesë totale e mirësjelljes, thuajse armiqësi e plotë.
Ishte një hetim i mirëfilltë, me të vetmin ndryshim, që nga shtëpia sillesha pa pranga në duar dhe prapë pa ato, kthehesha në Fier. Nga një pikëvështrim, dukej e arsyeshme që unë të pyetesha, ngaqë përmendesha në fjalimin e Hoxhës. Por unë atje, për belanë time, përmendesha shumë pozitivisht, gjë që në sytë e këtyre njerëzve kjo hollësi, nuk po shquhej aspak. Kjo linte të kuptohej se; ose paranojaku i madh Enver Hoxha, ndërkohë, kish ndryshuar mendje, ose këta “qen gjahu”, gjuajnë në lista vetëm pas emrave, e jo pas cilësorëve?! Por shumë shpejt e kuptova, që paskësh qenë hamendja e parë.
Për këtë u binda pas një viti, kur tashmë gjyqi i grupit, që Enver Hoxha vendosi ta sakrifikojë, qe zhvilluar. Më thirrën të paraqitesha në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, Nimet Canit, që kish ardhur në atë post, pas vetëvrasjes së Pirro Gushos. Ai më priti mjaft ftohtë. Më ftoi të ulesha dhe hyri drejt e në temë, ashtu i ngrysur siç ishte. – Shiko, – më tha, – për ty, nga gjyqi i grupit të sabotatorëve, kanë dalë dhjetë pikëpyetje. Edhe ti akuzohesh, se nuk ke vepruar sipas orientimeve dhe mësimeve të Partisë, në fushën e kërkimeve të naftës.
Përmbledhtazi, ai m’i parashtroi, ato që më ngarkoheshin mua. Mbasi i dëgjova me kujdes, e ndjeva se ato nuk qëndronin fare. Ishin të thëna pa përgjegjësi, e sidomos të paargumentuara në fakte. Dukej hapur që ishin interpretime keqdashëse, nga njerëzit që ishin marrë me këtë punë, në grupin e ekspertizës dhe nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Për nja dy puse që përmendeshin aty, se ishin shpuar larg vend-burimeve ekzistuese, unë i thashë se kish ngatërrim periudhash dhe se ato puse, ishin shpuar para se të dilnin orientimet e Partisë, për politikën e shpimeve.
Po kështu përmendeshin edhe disa puse të Shpuar me një sasi e nivel punimesh seizmike të pamjaftueshme, për të cilat dhe unë në Këshillin Shkencor, kisha qenë dakord që të bëheshin. U mundova t’i argumentoja, se në terrene ku janë shpuar këto puse, nuk mund të futej seizmika dhe ne kishim edhe shumë puse të tjerë të shpuar në të tilla kushte, që kishin qenë jo vetëm pozitive, por ishin bërë pikënisje, për të zbuluar vend-burime të reja. Pra, ato duheshin gjykuar në bashkësi, e jo të shkëputura, sepse pa ato puse negative, nuk do të ishin zbuluar këto vend-burime që kishim aktualisht.
– Më vjen keq, shoku Sekretar i Parë, – i thashë me urtësi. -Partia e ka vlerësuar lart, rezultatin e puseve të shpuara me atë nivel seizmik të pamjaftueshëm. Si është e mundur, që tani juve ua raportojnë këtë punë si të keqe, deri dhe të dëmshme e gati sabotuese?! Aq më tepër, shoku Nimet, po të duam të bëjmë krahasim me vitet para ’67-ës. Në ato kohëra, ne nuk kishim orientime të Partisë, për si, e sa duhet të shpojmë në gëlqeror, si e sa në ranore dhe si duhet të ishte kompleksi. Por ne, si specialistë, duke vlerësuar të gjitha mundësitë reale të vendit dhe terrenit, patëm gjykuar midis nesh, nëse duhej shpuar apo jo pusi.
Dhe këto janë bërë me diskutime të gjera në kolektiva dhe janë miratuar në ministri. Pra, ky nuk është veprim i vetëm një njeriu, ose i vetëm disa njerëzve. Ato janë përfundim i të gjithë specialistëve, që merren me këtë punë. Këtu juve ju kanë raportuar gjëra, për të cilat unë nuk mund të jem përgjegjës, sepse në ato vite, nuk punoja në Institut, nuk isha anëtar i Këshillit Shkencor dhe nuk kisha asnjë lidhje e asnjë dijeni, për këto puse. Si mund të ngarkohem me përgjegjësi?! Ai me shikonte i hutuar, se si unë po bëja mbrojtjen e punës sime.
– I them këto, shoku Sekretar i Parë, – vazhdova me këmbëngulje, -se ato vërejtje, jo vetëm që nuk qëndrojnë, por janë marrë të shkëputura, të njëanshme e disa janë fare absurde. Natyrisht e ndjeja të zorshme, t’i thoja copë Nimet Canit, se ato ishin orientime të gabuara, të bëra nga njerëz jo kompetentë. Sidomos pas atyre ngjarjeve rrëqethëse të 5 marsit 1975, ne naftëtarit nuk mund të thoshim, se fajtorë për këtë, ishte vetë udhëheqja e shtetit, që nuk pranoi kurrë nevojën e blerjes jashtë, të pajisjeve seizmike të përparuara, por na linte të punonim me një teknologji, fare të prapambetur sovjetike.
“Unë nuk të kam thirrur këtu për të diskutuar, qëndrojnë apo jo këto çështje, – ma ktheu sekretari Nimet Cani. – Unë u besoj këtyre letrave që kam përpara dhe të thirra që të të paralajmëroj, të punosh me kujdes dhe të zbatosh seriozisht porositë dhe mësimet e shokut Enver, për naftën. Ne të vlerësojmë, si një specialist mjaft të mirë, që punon shumë. Ti ke kontribuar në zbulimin e vend-burimeve të reja, prandaj ne kemi besim, se do të punosh më mirë, duke i patur shumë qartë në kokë, vërejtjet që të bëra në fillim të bisedës tonë”.
Mësova së të tilla shkundje, u ishin bërë edhe specialistëve e drejtuesve të tjerë të naftës. Edhe ata qenë thirrur në organe të ndryshme, u ishin vënë në dukje vërejtjet për ta dhe u ishin bërë të qarta paralajmërimet. Që të gjithë ishin porositur, të mos ia tregojnë njeriut tjetër paralajmërimet që kishin marrë. Unë, për vete, u shqetësova shumë. Nga kjo kohë, pagjumësia për mua u bë e zakonshme. Tashmë u binda plotësisht, se në vendin tonë, jeta dhe fati i njeriut, nuk mund të ishte e sigurt për asnjë vit, për asnjë ditë, bile as edhe për një orë. Në varësi të interesave të elitës partiake, shumë shpejt, e bardha mund të bëhej e zezë dhe anasjelltas.
Një luftë e madhe e brendshme zhvillohej në veten time, e shpesh shtroja pyetjen, se; çfarë duhet të bëja në këto kushte, kur e dija që, zyrtarisht, kisha tashmë një dosje të hapur, nga ana e Sigurimit. Tri, ishin mundësitë, të bëja çmos të largohesha nga kjo punë, gjë të cilën kisha vite që e kërkoja dhe nuk ma lejonin, t’i jepja fund jetës, për të mos u krijuar fëmijëve vështirësi për të ardhmen, gjë jo e përditshme, tepër e rëndë dhe me rezultate të pasigurta politike dhe e treta që mbetej, ishte të punoja kokulur, natyrisht jo vetëm me ndërgjegje si dhe më parë, por me një kujdes të veçantë në zbatimin e orientimeve, sado të paqëllimshme e antishkencore, të ishin ato.
Kjo rrugëzgjidhja e tretë që bëmë ne, pjesa më e madhe e inteligjencës në naftë, ishte njëkohësisht edhe më e paparashikueshmja, më e pasigurta dhe përvoja kish treguar, po tregonte dhe do të tregonte, se kish ngjyrat e një llotarie, mbi të cilën ti vetë, nuk ndikon aspak. Njerëzit vazhdonin të shihnin personalitete, drejtorë, ministra, anëtarë të Byrosë Politike të PPSh-së, që merreshin me këtë sektor nevralgjik të ekonomisë, të cilëve u hapeshin dyert e veturave me respekt, udhëtonin me avionë drejt kryeqyteteve të botës, por kurrë nuk ua panë grykën e ftohtë të revolverit, që nuk iu nda nga zverqet.
Gjyqi i lartë afro një vit pas asaj dite marsi, në përfundim, dënoi për motive politike, me vdekje, dy gjeologë, Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin. Të tjerët morën dënime, nga pesëmbëdhjetë, deri në njëzetepesë vjet, në burgjet politike. Tërmeti i fuqishëm që ra në industrinë e naftës, e kishte epiqendrën e tij në Institutin e Studimeve Shkencore të Naftës. Përveç specialistëve të dënuar në këtë gjyq, mjaft specialistë të tjerë, u internuan ose u dërguan të punojnë në sektorët e naftës, si punëtorë të thjeshtë, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit, si kandidatë për t’u arrestuar, në rastin më të parë, në shprehjen më të vogël të pakënaqësisë.
Terrori psikologjik tek ne që mbetëm jashtë të padënuar, u bë i padurueshëm. E këtë ne bile nuk ia rrëfenim dot as njeri, – tjetrit. Hijet e mosbesimit, na kishin mbuluar të gjithëve. Gabimet që mund të bënim, siç mund të bëje në punë çdo qenie njerëzore, vetë në kokat tona, përktheheshin në krime. Siç kam përmendur dhe më lart, në industrinë e naftës, me logjikën e mbrapshtë të diktaturës, këto lloj krimesh, mund t’i gjeje muaj për muaj. Teknikisht, pranohet e njihet në të gjithë botën, se në kërkime, përveç puseve pozitive, që në vendet e përparuara të Europës dhe kontinentin amerikan, ishin mesatarisht në vlerat e trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë përqindëshit, janë negativët, si rastet më të shpeshta, të këtij grupi pusesh.
Ishte e lehtë, pra që të merrje në analizë disa nga këto puse, t’u gjeje atyre ndonjë kleçkë teknike dhe ja, akuzat për sabotime, i kishe gati. Megjithëse qe diskutuar e pranuar nga të gjithë, se puset negative janë teknikisht të nevojshëm që të shpohen, më pas njerëzit që e dinin mirë këtë probabilitet praktik, urdhëronin ekspertizat e mundësisë së sabotimit, vetë Enver Hoxha, kur fliste për naftën në Byronë Poltike, apo në Sekretariat të Komitetit Qendror të Partisë, theksonte se ai, pranonte që tek ne, të kish një raport një me tre, apo një me katër, mes puseve pozitivë me negativët dhe duke patur parasysh kushtet konkrete të vendit tonë, nxiste gjeologët, që të projektonin me guxim.
Ne praktikisht, qëndronim më lart se Evropa dhe kontinenti amerikan: ndërsa ata pozitivet, i kishin trembëdhjetë përqind, ne kishim arritur mrekullisht, tek shifra mesatare e tetëmbëdhjetë përqindëshit! Por ja që prijësi “legjendar” i shtetit shqiptar, kërkonte që ne të kishim për pozitivet, tregues më të lartë akoma, deri njëzetepesë përqind! Në një kohë që me një ndërtim gjeologjik si të vendit tonë, vendet e përparuara, pothuajse nuk do të merreshin, nuk do të kërkonin fare. Pa le pastaj, që ne dispononim një teknikë e teknologji të punimeve seizmike, shumë më të prapambetur se të vendeve të tjera. Ato, deri në thellësi 2000-4000 m. jepnin një informacion shpesh herë të dobët. Ne duhej të shponim puse me thellësi deri 4500 m dhe në disa raste, edhe më thellë. Kështu që gjeologët shqiptarë, viheshin nga partia para një kërkese absurde.
Por Enver Hoxha, me kërkesat e tij të marra, nuk na garantoi kurrë, se do të na çlironte nga “qentë e tij nuhatës” të sabotimeve, operativët e Sigurimit të Shtetit. Sikur edhe në njëqind puse, një, vetëm një, ta kishim negativ, ata do të kërkonin dorën armiqësore dhe atje! Udhëheqja e partisë, i dinte mirë ato mungesa e vështirësi. Thirrja për të projektuar me guxim, nuk pushoi kurrë, por pabesia ishte kaq e qartë, sa kjo thirrje, shndërrohej thjesht një fjalë në erë. Ata nuk deshën të kuptonin dhe as pranonin të bisedonin, se puse negativë dhe në punën më perfekte që mund të bëhet, përsëri në kërkimet e fushave të reja, gjithmonë ka patur e do të ketë. Sigurimi dhe hetuesia, kishin kërkesa më të avancuara se shefi i tyre, Enver Hoxha. Ata dinin vetëm një refren:
– Po të zbatohen drejt mësimet e partisë dhe të shokut Enver, të gjithë puset do të dalin pozitivë! Ky ishte një absurditet edhe më i madh nga ai i Hoxhës, por pikërisht ky, ishte edhe thelbi i pagjumësive tona shumëvjeçare. Për të qenë më i qartë, se çfarë përfaqësonin këto orientime të Partisë, përveç asaj që theksova më lart, lidhur me përgatitjen me kompleks dhe me guxim, si dhe për raportet e larta që kërkoheshin për puset pozitivë, ne na u vunë edhe detyra të tjera. Kështu na u kërkua, që mbi tetëdhjetë përqind e puseve të kërkimit, të ishin brenda kuadratit perspektiv, i cili përbënte një sipërfaqe vetëm prej njëzetë, herë dyzet kilometra. Ndërsa metrazhi orientohej të shpërndahej, gjashtëdhjetë përqind për gëlqerorët dhe tridhjete e pesë përqind, për ranorët.
Këto ishin vetëm pranga, në orientimin e kërkimeve gjeologjike, se po të shpoje jashtë kuadratit një pus më shumë, megjithëse ai mund t’i kishte të gjitha treguesit për t’u provuar, ti futeshe në rrethin e kuq të Sigurimit. Për ranorët, ne objektivisht nuk kishim rajone për një metrazh të tillë, kështu që duhej të shpoje më shumë puse, se sa nevojiteshin teknikisht, vetëm e vetëm për të ruajtur raportin, që të mos përfundoje nën hekura. Unë, personalisht, kam bërë një luftë të madhe, për mos vendosjen e shifrave të tilla si të detyrueshme, se nuk kishin baza shkencore, ag sa dhe kur më thirrën në qeveri, këmbëngula për të mos i miratuar ato. Por zëri i im nuk u dëgjua. Kryeministri, madje më bëri thirrje: “Dorëzoju, Xhaçka, dhe pranoi shifrat që të thonë”! Por unë me ndërgjegje të plotë profesionale, iu përgjigja: – Jo, shoku Mehmet, nuk dorëzohem!
Një tjetër aspekt formal dhe i neveritshëm i këtyre orientimeve, ishte përfshirja e punëtorëve në studimet projektuese dhe marrja e mendimit të brigadave, për shpimin e puseve të rinj të kërkimit. Na detyruan që të futnim si pjesëtarë në grupet e studimit të projektimeve, jo vetëm gjeologë të ndërmarrjeve të cilët, hajd se edhe mund të ndihmonin në proces, por edhe punëtorë! Ky ishte një formalizëm burokratik, aspak frytdhënës. Sipas trumbetimit demagogjik, të qenies së klasës punëtore në udhëheqje të shtetit të saj, pusi më parë se të miratohej në instancat shkencore e administrative, duhej të dërgohej në një brigadë shpimi dhe të argumentohej, se; përse duhej shpuar ky pus kërkimi, në struktura të tjera.
Miratimin duhet ta fillonin punëtorët, mekanikët, kryesondatorët, që ishin shpesh duarartë në punërat e tyre, por që nuk ishin aspak në gjendje, të gjykonin nëse duhej shpuar apo jo pusi i kërkimit. Sepse, nuk kishin as njohuritë më elementare të shkencës së gjeologjisë e gjeofizikës! Po të mos binte dakord brigada e shpimit, askush nuk mund të guxonte ta miratonte atë pus. Dhe ajo që bëhej më e rëndë, po të dilte pusi negativ, llogaria duhej dhënë përsëri para brigadës, që e shpoi atë pus dhe që më parë e pat miratuar. Memorie.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al