Pas Trnavës, të tjera largime nga bardheblutë

Jul 18, 2011 | 10:58

Java e ardhshme mund të sjellë lëvizje te Tirana, pasi pritet që të ketë largime të tjera. Mjaft futbollistë mendojnë që pas ndeshjes së kthimit me Spartak Trnavën, të shohin një tjetër opsion për të ardhmen. Bëhet fjalë për ata elementë që kanë pasur oferta nga jashtë vendit, por edhe për ata që kanë mbetur të pakënaqur nga lënia në stol nga ana e trajnerit Hulian Rubio. Lëvizje zyrtare për momentin nuk ka. Megjithëse elementë si I.Lika apo Karabeci, të cilët kanë bërë një paraqitje dinjitoze në Europë, të mos u shpëtojnë syrit të skuadrave të huaja. Ndërkaq, mësohet se dhe Bekim Bala mund të jetë drejt “divorcit” me bardheblutë. Lojtari ndeshjen e fundit e nisi nga stoli, gjë që nuk e ka pranuar. Ndërkaq, ndeshja e parë për turin e dytë kundër Spartak Trnavës solli probleme në kampin bardheblu. Ilion Lika dhe Xhejms Situma u dëmtuan keq nga dy ndërhyrje thuajse të njëjta, duke rrezikuar edhe takimin e kthimit në Sllovaki. Mirëpo, duket se qetësia është rikthyer për zv. kapitenin, i cili është rikuperuar plotësisht. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për mesfushorin kenian, i cili rrezikon seriozisht aktivizimin në këtë transfertë të rëndësishme për Tiranën.

© Panorama.al

Te lidhura