Jo të gjitha lajmet janë të bukura për t’i shkruar, por kur bëhet fjalë për njerëz të njohur dhe që shfaqin kuriozitet në publik, e vërteta një ditë do të dalë. Pas lajmit se prezantuesja e njohur Ami Toska ishte në regjim shtrati në pritje të fëmijës së saj të parë, vjen lajmi se ajo me këshillë të mjekut që ndiqte, është vendosur ta ndëpresë shtatzëninë, për shkak të problemeve shëndetësore që ka hasur. Ndërprerja e shtatzënisë është bërë pak javë më parë, por Ami ka vendosur të mos flasë me askënd për këtë çështje personale, dhe për më tepër të udhëtojë jashtë vendit për disa pushime relaksuese bashkë me Ermalin, për të fituar qetësinë dhe për të shijuar disa ditë të qeta si çift. Kjo ndërprerje e shtatzënisë është bërë pak pas tre muajve të parë, dhe natyrisht që ka qenë një vendim i marrë nga mjeku për të mirën e shëndetit të saj. Problemet e para prezantuesja e njohur i kaloi në mesin e muajit qershor, që e detyruan të mos prezantonte natën finale të spektaklit “Dancing with the stars” në “Vizion Plus”. Për shkak të disa shqetësimeve shëndetësore të shtatzënisë, u gjykua nga mjeku i saj se duhet të qëndronte në regjim shtrati për disa ditë, periudhë e mjaftueshme për t’u normalizuar, derisa të mbushte tre muajt e parë. Pas shqetësimeve që kishte ndier, bëri një konsultë me mjekun, i cili e gjykoi të domosdoshme që ajo të qëndronte në regjim shtrati deri në normalizimin e situatës, regjim që i duhej ta ndiqte për disa ditë. Kjo u bë për të shmangur ndonjë problem serioz të mëvonshëm.
Gjatë kësaj periudhe, jo vetëm Ami u prononcua se si ndihej në pritje të fëmijës, por edhe Ermali, i cili i ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të Arian Çanit, u shpreh se po përjetonte një ndjesi shumë të bukur në pritje të fëmijës së tyre të parë, dhe madje kishin menduar dhe emrat, nëse fëmija do të ishte vajzë apo djalë. Ndërkohë që Ami do ta rrëfejë historinë e saj gjerë e gjatë në kopertinën e numrit të ri të revistës “Psikologjia”, ku do të shfaqet me foto të reja dhe do të rrëfehet për gjithçka, si është ndier, si dhe për planet e reja në sezonin e ri televiziv. Para pak muajsh, Ami dhe Ermali festuan në një party të përbashkët 30-vjetorin e tyre, ku morën shumë dhurata nga miqtë artistë. Në atë kohë kishin filluar të qarkullonin fjalët se çifti priste një fëmijë, lajme që u mohuan vazhdimisht nga ata vetë. Mbyllja e “DWS” ishte momenti kur Ami vendosi ta japë vetë lajmin e shtatzënisë, duke u shprehur se dëshironin vajzë. Gjithsesi ata janë shumë të rinj, dhe ne presim sërish lajm që ata të jenë në pritje të fëmijës së tyre të parë. Ermali dhe Ami, pas eksperiencave të veçuara në ekran, për herë të parë u shfaqën si çift prezantuesish në show-n e VIP-ave “Dancing with the stars”. Deri tani flitet që ata do të vazhdojnë të jenë çifti prezantues në edicionin e këtij sezoni, ndërkohë që pjesë e jetës së tyre janë udhëtimet në vende të ndryshme të botës për biznesin e ceremonive të martesave dhe festave familjare.











