Pas ndarjes nga Kastro, Erleta merr nënshtetësinë shqiptare

Jul 29, 2012 | 13:12

Siç duket, as letra e pendimit që Kastro Zizo i drejtoi ish-bashkëshortes së tij Erleta Hoti, nuk i ka ndryshuar mendjen asaj që të rikthehet në krahët e tij. Ajo do të vazhdojë të jetojë në Prishtinë duke rritur të bijën, Nian, e duke mos çarë kokën për Kastron dhe gjestet që ai bën në publik. E rritur në një familje intelektualësh dhe një zonjë me klas, Erleta bën të ditur se edhe pa Kastron mund t’ia dalë, madje shumë më lehtë e më mirë. Pasi Nia ka mbushur dy muaj, Erleta së bashku me të ëmën kanë vendosur të kalojnë një pushim të shkurtër në bregdetin shqiptar, në mënyrë të fshehtë pas shtatzënisë dhe punës së lodhshme në televizion. Nuk dëshiron të flasë aspak mbi ndarjen, të paktën për momentin. Një tjetër lajm që ka të bëjë me vajzën e njohur të ekranit kosovar, është dhe marrja e nënshtetësisë shqiptare, të cilën më datë 19 korrik të këtij viti e kishte dekretuar me urdhër tashmë ish-presidenti, z. Bamir Topi, në ditët e fundit të ushtrimit të detyrës si President i vendit. Dekreti për dhënie të shtetësisë shqiptare me numër 7707 thotë: ”Në mbështetje të nenit 92, pika c dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 9 pika 7 dhe nenit 20 të ligjit numër 8389, datë 5 gusht 1998 ”për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, dekretoj. Neni 1: U jepet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm: 1. Edi Muhamed Shukriu, 2. Erleta Ukshin Hoti. Neni 2. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Tiranë, 19.07.2012. Nr. i Dekretit: 7707, Presidenti i Republikës-Bamir Topi”, thuhet në dekretin e lëshuar nga Presidenca, ku janë pajisur me nënshtetësi shqiptare Erleta dhe e ëma e saj, znj. Edi Shukriu (ish-ministre e Kulturës).

© Panorama.al

Te lidhura