Pas Kushtetueses, Pacolli drejt largimit nga qeveria

Jul 13, 2012 | 14:10
Behgjet Pacolli

Behgjet Pacolli, kreu i Aleancës Kosova e Re, ka deklaruar se mund të tërhiqet personalisht nga qeveria. Megjithatë ai premtoi se AKR-ja do të jetë pjesë e koalicionit deri në fund të mandatit. Deklarata e Pacollit, i cili ka qenë President i Kosovës vetëm pak javë derisa Gjykata Kushtetuese vendosi se procesi i zgjedhjes së tij kishte shkelur Kushtetutën, u bë pak ditë pasi përsëri Kushtetuesja vendosi se Presidentja Jahjaga, e cila ishte vendosur me marrëveshje nga tre liderët e partive të mëdha (Thaçi i PDK-së, Mustafa i LDK-së dhe Pacolli i AKR-së) vetëm për një vit derisa të bëheshin ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli, duhet të mbaronte mandatin e plotë pesëvjeçar. Pacolli kishte deklaruar se me ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e Presidentit dhe pas largimit të Jahjagës, këtë vit mund të garonte përsëri. Ai, vitin e kaluar, mori përkohësisht në pritje të zgjedhjeve presidenciale postin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, i ngarkuar posaçërisht me procesin e njohjeve të Kosovës, për të cilin njihet për sukses. Në një intervistë për “Epoka e Re”, zoti Pacolli u shpreh se ka marrë një ofertë serioze për të qenë i përfshirë në një mision paqeje të nivelit të lartë, dhe se këtë mundësi po e shqyrton seriozisht. “Nëse vendos pro kësaj oferte, do të shkoj, por koalicioni do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha Pacolli. Kreu i AKR-së ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e plotë të Jahjagës, për të cilin ka thënë se nuk është dashur fare mendimi i kësaj gjykate. “Jam i prirur të besoj se Presidentja do të veprojë ashtu siç ka vepruar Fatmir Sejdiu, siç kam vepruar edhe unë, për hir të shmangies së krizës institucionale apo bllokimit të reformave”, ka thënë ai, duke parashikuar largimin vullnetar të Presidentes Jahjaga nga detyra. Pavarësisht zhvillimeve të fundit në skenën politike, Pacolli ka thënë se nuk ndihet i tradhtuar as nga kryeministri Thaçi e as nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Deklaratë hitleriane”
Deklaratën e kryetarit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, se çështja e Kosovës mund “të kalonte në OKB, vetëm mbi trupin e tij të vdekur”, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka quajtur patetike, shoviniste, kërcënuese, dhe thotë se ajo u ngjan deklaratave të nacionalizmit hitlerian, sipas KTV. Pacolli tha se obligimi moral i një kryetari të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është që të jetë i paanshëm, të jetë në pajtueshmëri me kartën e Kombeve të Bashkuara, që promovon paqen në botë.

© Panorama.al

Te lidhura