Pas kritikave të OSBE, s‘shtyhet më “Gërdeci”

Jun 18, 2011 | 10:22

TIRANE – Mihal Delijorgji, i pandehuri i dosjes “Gërdeci”, pritet të paraqitet në Gjykatën e Tiranës, në seancën e së hënës, në ngarkim të tij dhe 28 të pandehurve të tjerë. Mundësia e pranisë së Delijorgjit, i cili nuk është paraqitur në asnjë seancë që nga fillimi i gjykimit, u pohua dje nga mbrojtësi i tij ligjor, avokati Gëzim Veleshnja. Seanca e këtij procesi u zhvillua pa shtyrje dje, një ditë pas akuzave të ashpra që bëri ambasadori i OSBE-së për zvarritjen e këtij procesi. Paraqitja e Delijorgjit lipset për shkak të fazës në të cilën ndodhet gjykimi, atë të pyetjes së të pandehurve. Kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, relatoi dje se nëpërmjet një shkrese, Gjykata i kishte kërkuar më parë Delijorgjit të paraqitej në proces. Sipas kryesuesit, “Delijorgji kishte marrë dijeni, por nuk ishte shprehur në lidhje me pëlqimin apo jo të tij për t’u pyetur në proces”. Në këtë kohë, avokati i Delijorgjit u shpreh se “Delijorgji do të pyetet”. Në seancën e të hënës pritet të pyetet para gjykatës edhe i pandehuri Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s. Në seancën e djeshme, trupa gjykuese e dosjes u njoh me një deklaratë të së pandehurës Juliana Margariti. E pandehura Margariti, ish-financiere e MEICO-s, tha se akuzat e prokurorisë ndaj saj nuk qëndronin. “Unë për çdo veprim kam zbatuar urdhrat përkatës”, u shpreh Margariti. Po sipas saj, nga veprimet e saj gjatë ushtrimit të funksionit të financieres pranë ndërmarrjes “MEICO”, nuk i kishte shkaktuar dëm ekonomik shtetit.

© Panorama.al

Te lidhura