Ekstravagantja e skenës shqiptare që po çmend edhe skenën europiane e amerikane, po fillon të mendojë ndryshe për veshjen e saj. E pranishme gati në çdo event në Europë dhe Amerikë, në mesin e yjeve të njohur të muzikës dhe skenës botërore, Bleona Qereti është shfaqur dhe këtë radhë në festivalin ‘’NJR Music Awards’’ në Cannes të Francës, që është mbajtur më 28 janar të këtij viti. Seal, Justin Biber, Jenifer Lopez, Shakira, David Guetta, Matt Pokora, Miss France 2012, Sarah Marshall e shumë të tjerë ishin vetëm disa nga emrat pjesëmarrës, në mesin e të cilëve edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Bleona Qereti. Të gjitha të veshura në mënyrë ekstravagante, ndërsa Bleona këtë radhë kishte hequr dorë. Në shumë evente kishte preferuar veshje tepër ekstravagante, saqë kishte nxjerrë në publik edhe hiret e saj femërore, duke zgjuar komente nga më të ndryshmet, madje edhe e kritikuar tej mase. Këtë radhë, ndryshe nga herët e tjera, shfaqet e veshur deri në fyt. Para se të shfaqej në NJR Music Awards, Bleona ka qenë pjesëmarrëse edhe në ‘’Haute Couture Fashion France’’, ku dizajner të famshëm botërorë kanë prezantuar veshjet e tyre të sezonit pranverë-verë 2012, ku Bleona ka qenë një nga mysafiret speciale, ndërsa në mesin e modeleve që kanë prezantuar veshjet ka qenë dhe e famshmja Emina Çunmulaj.











