
Autori i arrestuar i krimit, 25-vjeçari Dilaver Adushaj, nuk ka pranuar të deponojë për vrasjen dhe motivin që e ka çuar atë drejt këtij krimi të rëndë. Burime të Policisë së Fierit bënë të ditur se autori nuk pranon të flasë dhe se ai ndodhet në kushtet e një tronditje të rëndë pas ngjarjes. Policia e ka konsideruar paraprakisht shkakun e ngjarjes për motive të dobëta. Pritet që ngjarja të zbardhet pasi i riu të deponojë gjithçka që ka ndodhur dhe shkakun e saj. Burime të Policisë bënë të ditur se pista e një grabitjeje të mundshme është rrëzuar për shkak se autori e ka qëlluar viktimën dhe më pas është larguar pa marrë paratë e tij në dyqan.
Pas ngjarjes, 25-vjeçari u rrethua nga policia, por për disa momente ai bëri rezistencë duke demonstruar para tyre veprime që mund të çonin në vetëvrasje. Ai e ka mbajtur për shumë minuta thikën në dorë duke ia drejtuar vetes në fyt teksa kërcënonte se do të vetëvritej nëse i afroheshin për ta arrestuar. Në vend mbërritën edhe familjarët e tij dhe dhjetëra qytetarë kureshtarë. Policia e Fierit arriti ta arrestonte Adushajn pa u shënuar incidente të tjera, por ai nuk pranoi flasë asgjë për ngjarjen.











