Siç shkruan e përditshmja serbe ”Alo”, këngëtarja e njohur serbe Jelena Karleuša me lot në sy ka lënë Kosovën pas koncertit të organizuar në Graçanicë, komunë kjo e banuar vetëm me serbë. E kontaktuar nga gazeta ”Alo”, Karleuša është përgjigjur: ”Koncerti ka qenë fenomenal, falënderoj të gjithë publikun dhe organizatorët. Muzika i bashkon njerëzit, muzika ngjall qetësi dhe paqe. Ky koncert ka treguar se të gjithë njerëzit në Kosovë mjaft kanë derdhur gjak, mjaft me propaganda politike. Edhe serbët edhe shqiptarët më kanë bindur se situata nuk është ashtu siç shkruhet në mediat e Prishtinës dhe Beogradit, kurse unë atyre u besoja. Gjithçka që kam menduar deri më tani për situatën në Kosovë, e kam ndryshuar krejtësisht. As unë e askush tjetër në Serbi nuk e di, por e gjithë e vërteta është atje në Kosovë”, kështu ka deklaruar Jelena, duke shpresuar se do të vijë momenti kur të dalë ndonjë politikan që të ndryshojë qëndrimin për të zgjidhur situatën e bllokuar në Kosovë. ”Populli serb atje është shumë rehat, shpresoj që së shpejti do të gjenden njerëz në politikën serbe që do të japin ndihmë për zgjidhjen e problemeve. Një gjë është e sigurt, se deri më tani me situatën politike në Kosovë janë marrë njerëz të cilët nuk e kanë ditur realitetin. Gjithçka mendoj se bëhet nga interesi”, ka theksuar pop diva Karleuša, e cila para koncertit ka pasur një takim edhe me kryetarin e komunës së Graçanicës, z. Bojan Stojanoviç, me të cilin kanë biseduar për situatën në këtë zonë. Koncerti ka zgjatur dy orë, e kanë ndjekur mbi 3.000 persona nga nacionalitete të ndryshme dhe pa asnjë incident. Jelena ka qenë e vendosur në hotelin në të cilin gjatë vizitave në Kosovë qëndron Sekretarja Amerikane e Shtetit, znj. Hilari Klinton.











