Ashtu siç ishte parashikuar, këshilltari i ish-presidentit dhe tashmë zëvendëskryeministrit të parë kosovar, Behgjet Pacolli, preferon më shumë të jetë i lirë, sesa të krijojë lidhje fikse në Tiranë. I komentuar si djali misterioz, që frekuenton edhe jetën e natës në Tiranë, ai tashmë nuk shihet më të shoqërohet me Bertina Mehmetin e “Big Brother 3”. Paparaci ynë e ka fotografuar para pak ditësh në praninë e një vajze tjetër brune, ndërsa ka qenë prezent në natën e hapjes së “Vila Mercedes” në Tiranë, ambienti më shik i momentit. Djali biond, i quajtur Esad Pushkar, është nga ata të huaj në Shqipëri që frekuenton ambientet e njohura në kryeqytet, dhe ndoshta nuk do të binte aq shumë në sy nëse nuk do të shihej të dalë në lokale me vajza të njohura, sidomos me ato vajza që u bënë të njohura nga reality show “Big Brother”. Kështu, djali me origjinë boshnjake, që ka jetuar edhe në Kosovë, para se të fotografohej me Bertinën, është parë të shoqërohet me vajza të tjera të njohura në këtë format televiziv në “Top Channel”. E pasi në faqet e gazetave rozë u publikuan disa foto të Bertinës me Esad Pushkar, ata nuk u panë më bashkë.
Bertina Mehmeti u fotografua para pak javësh në “latin party”, ku gjatë gjithë kohës ka qenë nën shoqërinë e Pushkarit. Pushkar ishte bërë i famshëm në Kosovë gjatë zgjedhjes së Behgjet Pacollit si President i vendit, me SMS-të që kishte shkëmbyer atë ditë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christofer Dell dhe rasti njihet edhe si “skandali i SMS-ve”.











